E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasani shton akuzat: Arbitri kërkonte haraç

Nga Altin Latifi
 

ELBASAN- Nuk kanë mjaftuar akuzat e deputetit Dashnor Sula në lidhje me arbitrimet e javës së 6-të të Superligës. Dje, klubi i Elbasanit ka shtuar dozën e akuzave në adresë të gjyqtarit Mentor Sopjani, që të shtunën dha një penallti në favor të Besës në Kavajë. Duke folur për "Gazetën Shqiptare", drejtori Artin Kovaçi bëri të ditura shkaqet përse klubi verdheblu konteston gjyqtarin me origjinë nga Lushnja. "Duhet të dini diçka, historia me këtë arbitër ka lindur një vit e gjysmë më parë, në një ndeshje me Krujën dhe që atëherë, mënyra e gjykimit të tij karshi nesh, ka qenë gjithnjë tendencioze", tha Kovaçi. Ai ka akuzuar direkt për marrje rryshfeti arbitrin e ndeshjes, që sipas shefit të klubit verdheblu, kërkonte gjithnjë kështu gjërash. "Sopjani donte arsye dhe ne po ia japim. Sa herë që ne fitonim me këtë gjyqtar, ai na kërkonte haraç. Thoshte "pse s'më respektoni ju mua?" e gjëra të tilla. Veç kësaj, është shprehur disa herë se "po ju gjeta rastin unë do t'ju dënoj". Ka dalë 2-3 herë hapur për këtë", shtoi më tej shefi i klubit Elbasani. Akuzat e këtij klubi hapin një tjetër "plagë" të futbollit shqiptar, atë të korrupsionit me arbitrat. Vetëm dy ditë më parë, në emisionin "Skaner", deputeti Dashnor Sula tha se "ndeshja mes Shkumbinit dhe Lushnjës u trukua nga arbitri, që punon një kompani bastesh".
Prapaskenat
Duke folur në "Skaner" të shtunën në mbrëmje, arbitri Mentor Sopjani kërkoi të dinte arsyet përse e kontestonte Elbasani në këtë mënyrë. Dje, shefi i këtij klubi Artin Kovaçi bëri të ditur se ky gjyqtar ka pasur gjithnjë tendencë ndaj verdhebluve. "Ne ishim njëherë në Gjermani dhe ai i pati thënë trajnerit të të rinjve: "Kemi hesape për të larë bashkë, do t'i numëroni kartonat dhe golat sot". Ai ka kërkuar gjithnjë haraç dhe ne nuk i kemi dhënë", u shpreh Kovaçi. Më tej, ai tregon edhe prapaskenat e mbledhjes në Kavajë me drejtuesit e FSHF-së. "I thashë hapur që edhe nëse fitojmë, nuk i duam dhuratat prej teje. Unë e kam kontestuar gjithnjë këtë gjyqtar, madje kam njoftuar që në fillim të sezonit si shefin e Garave Shulku, ashtu edhe sekretarin e përgjithshëm Bici", deklaroi më tej shefi i klubit Elbasani. Ndërkohë, vetë gjyqtari Sopjani i kontaktuar dje nga "Gazeta", nuk pranoi të bënte asnjë koment të këtyre akuzave.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›