Kombëtarja U-20 e Kosovës, e katërta në turneun e Monthei-t
Kombëtarja U-20 e Kosovës e ka mbyllur në vendin e katërt Turneun Ndërkombëtar të Futbollit në Monthei (TIFM). Në takimin e fundit të këtij aktiviteti, të zhvilluar të dielën për vendin e tretë, ata u mposhtën 2-0 nga Flamengo. Rezultati final i takimit mund të kishte qenë edhe më i thellë në favor të brazilianëve: kosovarët kanë luajtur për afro 75 minuta me nëntë lojtarë, pasi Sahiti e Jashari u larguan nga fusha me kartonë të kuq. Megjithatë, trajneri Rafet Prekazi është shprehur mjaft i kënaqur për atë që tregoi ekipi i tij në turne. "Jam shumë i kënaqur me paraqitjet tona. Kemi lënë përshtypje të mira këtu me lojërat që kemi përdorur, me sjelljet tona dhe me gjithçka. Ndeshja më e bukur ishte padyshim ajo kundër Hajdukut në gjysmëfinale, e mendoj se humbëm pasi na mungoi fati. Në bazë të asaj paraqitjeje, e meritonim finalen", deklaroi drejtuesi i U-20 nga Zvicra për "Express". Koha e rregullt me Hajdukun ishte mbyllur në barazim 1-1, pavarësisht dominimit të kosovarëve, që në fund u mposhtën me penallti. Në gjysmëfinale ata arritën pasi u renditën të dytët në grupin B, me katër pikë në tri ndeshje. Në këtë fazë Kosova barazoi 1-1 me danezët e Brondbit, humbi 2-0 me Flamengon dhe fitoi 3-2 me zviceranët e Sionit.