Lojtarët e Gramozit priten si heronj
Priten si heronj, djemtë e ekipit të Gramozit. E diela ka qenë ditë feste për qytetin e vogël juglindor të Ersekës. Ekipi i Gramozit i ka dhënë fund një epoke, duke shënuar momentin historik, kur për të parën herë në historinë e tij, kalon në kategorinë e më të mirëve. Pritja e gjatë prej dy ditësh e ekipit të Gramozit nuk i ka lodhur tifozët dhe qytetarët e Ersekës, të cilët janë mbledhur në shesh për të festuar bashkë me futbollistët këtë ngjarje të madhe për futbollin kolonjar. Kjo jo vetëm për faktin se skuadra e tyre deri para një sezoni kishte luajtur vetëm në kategorinë inferiore dhe për faktin se që nga viti 1927 kur është krijuar, ekipi nuk ka luajtur kurrë në ligën superiore. Brenda një sezoni futbollistik, kolonjarët kanë arritur ëndrrën e tyre për të luajtur mes ekipeve më të mira të vendit. Ndaj edhe festa e kolonjarëve ka pushtuar qysh prej së shtunës të gjithë qytetin, teksa prisnin kthimin e ekipit nga ndeshja e fituar me ballshiotët. Fishekzjarrë të shumtë dhe turma njerëzish kanë pritur si heronj djemtë e Gramozit. Qindra qytetarë janë bashkuar me lojtarët në këtë festë, duke i ngjitur në podium dhe duke derdhur shampanjë mbi ta. Për shumë orë, qyteti është pushtuar nga ethet e festës, ndërsa të gjithë kanë kërcyer nën himnin e ekipit, duke falënderuar edhe mbështetjen e madhe të "Taçi Oil" dhe presidentin e skuadrës, Mustafa Taçi, që sipas tyre i dhuroi gjithë Kolonjës këtë ditë historike për futbollin.