E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kombëtarja e femrave, kur do ta shohim?

Emri i Shqipërisë figuron në listën e vogël të katër vendeve të vetme evropiane që nuk kanë akoma një skuadër kombëtare të futbollit të femrave. Futbolli i femrave, një prioritet për të cilin UEFA është angazhuar mjaft në vitet e fundit duket se nuk ka pasur impakt vetëm tek vendet që nuk luajnë pothuajse kurrfarë roli në futbollin botëror si Lihtenshtajni, Andorra dhe San Marino. Fakteqësisht pjesë e këtij grupi mbetet edhe Shqipëria, ndërsa nuk është dëgjuar të flitet për një gjë të tillë nga drejtuesit e futbollit shqiptar, as nga gazetarët. Në Shqipëri nuk ka një kampionat futbolli, madje nuk dihet të ekzistojë ndonjë skuadër futbolli (vite më parë pata lexuar një artikull për skuadrën e parë të futbollit të femrave të quajtur Akademik, por është e pamundur të gjesh cfarëdo të dhëne nëse kjo skuadër ekziston apo jo), por për të mos u ndarë nga bota duhet të ketë një fillim. Dhe cili mund të jetë fillimi më i mirë sesa krijimi i një ekipi kombëtar të femrave. "Brumi" për një gjë të tillë është. Një hulumtim i thjeshtë i bërë nga "albania-sport.com" ka gjetur mëse pesë femra shqiptare që luajnë futboll në Evropë apo edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa përvec kësaj ekzistojnë disa skuadra shqiptare në Kosovë dhe Maqedoni. Madje në ish-republikën jugosllave skuadra shqiptare "Shqiponjat" nga Shkupi ka dominuar plotësisht kampionatin vendas për vite me radhë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›