E Diel, 1 Nëntor 2026

Kombëtarja fshin kufijtë e Shqipërisë me KosovënNë listën anti-Hungari janë 17 lojtarë nga Shqipëria e 6 nga Kosova. 7 qytete shqiptare në Kombëtaren A, Tirana mbizotëron me 5 futbollistë. Trajneri Ari Han është i vetmi i huaj i përfaqësueses s

DASH FRASHERI - Me 17 lojtarë nga Shqipëria e 6 nga Kosova, Kombëtarja shqiptare e futbollit është mëshirimi më i mirë i realizimit të “ëndrrës së madhe” për një “Shqipëri të madhe” apo “Shqipëri etnike”, siç përdoret zakonisht nga shqiptarët që banojnë përtej kufijve të “Atdheut amë’, Shqipërisë zyrtare.

“Albania-sport.com” hedh një vështrim shumë specifik për të parë jo vetëm “gjeopolitikën” e vendlindjes së 23 lojtarëve të thirrur nga holandezi Ari Han për sfidat e rëndësishme kundër Hungarisë (28 mars, në Tiranë) e Danimarkës (1 prill, në Kopenhagen), por dhe të “garës brenda qyteteve shqiptare” të origjinës së futbollistëve.

Parë në një vështrim të shpejtë, Kosova, shteti më i ri i botës, i shkëputur tragjikisht nga Shqipëria në vitin 1913, ndihet në një farë mënyre “kolona vertebrale” e përfaqësueses sonë gati 100 vjet më pas, në vitin 2009.

Në të katër repartet “administrative” të Kombëtares, nga porta e deri te sulmi, Kosova përfaqësohet me të paktën një ose dy lojtarë: dy në portë (Arian Beqaj, Saimir Ujkani), dy në mbrojtje (Armend Dallku, Debatik Curri), një në mesfushë (Lorik Cana) dhe një në sulm (Besart Berisha).

PORTA
Nga tre portierë të thirrur nga Ari Han, trajneri i katërt i huaj i “epokës Duka” pas italianit Xhuzepe Dosena, gjermanit Hans Peter Brigel e kroatit Oto Bariç, dy prej tyre janë nga Kosova.

Arian Beqaj (37 ndeshje me përfaqësuesen) ka lindur në Prizren (20 gusht 1976) dhe me një karrierë futbollistike në Shqipëri (Partizani), Greqi (Ionikos, Ofi Kretë) e Qipro (Anorthosis Famagusta). Beqaj është shndërruar në një nga portierët më të mëdhenj të Shqipërisë, së bashku me rekordmenin absolut përsa i përket numrit të ndeshjeve ndërkombëtare Foto Strakoshës (73 ndeshje), Perlat Mustës, Qemal Voglit, Dodë Tahirit (portierit të parë të Kombëtares shqiptare).

Isli Hidi, portieri që mbrojti të paprekur portën në ndeshjen kundër Maltës (0-0), ka lindur në Tiranë më 15 tetor 1980 (sa për statistikë, në këtë ditë ka lindur kryeministri aktual i Shqipërisë, Sali Berisha). Tiranasi shtatlartë (8 ndeshje me Kombëtaren) e ka kaluar “jetën e tij futbollistike” në Shqipëri, Qipro e Ukrainë, ku luan aktualisht me Krivbasi Krirog.

Samir Ujkani (asnjë ndeshje), portieri i talentuar shqiptar, me një të kaluar në Belgjikë (Anderleht U-19) e tani në radhët e Palermos në Serinë A në Itali, ka lindur në Vuçiterën të Reshnikut të Kosovës, më 5 korrik 1988. Ujkani mori pasaportën shqiptare në majin e vitit 2007, vetëm pak ditë përpara se ai të mbronte portën e Shqipërisë U-21 përballë Italisë (1 qershor 2007, të humbur 4-0).

MBROJTJA

Armend Dallku (29 ndeshje, 1 gol) është përfaqësues i Prishtinës, kryeqytetit të Kosovës. Dallku (i lindur, më 16 qershor 1983) ka luajtur me Prishtinën, përpara se të debutonte në Shqipëri me Elbasanin e në Ukrainë me Vorsklës, ku është shndërruar në një titullar të padiskutueshëm.

Debatik Curri, futbollisti polivalent dhe e ardhmja e futbollit modern shqiptar. Curri (21 ndeshje, 1 gol) ka lindur në Prishtinën e bukur, më 28 dhjetor 1983. Luan në Premier Ligën ukrainase me Vorskla Poltavën, ku dallohet si golashënues, ndërkohë që kulmi i karrierës së tij është goli spektakolar i shënuar kundër Holandës, më 11 tetor 2006 në kualifikueset e Ruro 2008, njëherësh edhe goli i vetëm shqiptar kundër “portokallinjve”.

Elvin Beqiri, zbulimi i trajnerit gjerman Hans Peter Brigel, është një ndër katër përfaqësuesit e futbollit shkodran në Kombëtaren aktuale. Mbrojtësi, i lindur në Shkodër, më 27 shtator 1980, ka një karrierë të gjatë ndërkombëtare që nis nga Shqipëria, vazhdon me Ukrainën, Rusinë e Izraelin. 41 ndeshje ndërkombëtare për të.

Admir Teli, botërisht i famshëm për shkak të kartonit të kuq të marë pas një ndërhyrjeje kundër futbollistit më të mirë në planet, Kristiano Ronaldo, ka lindur në Shkodër, më 2 qershor 1981. Katër ndeshje me përfaqësuesen, por me një karrierë në Shqipëri (Vllaznia, Tirana, Elbasani), Turqi (Hacetepe) e Azerbajxhan (Karabakh).

Kristi Vangjeli, mbrojtësi dinak, i cili nxorri jashtë loje holandezin Robin van Persi, është i vetmi përfaqësues i futbollit korçar. Vangjeli (i lindur më 5 shtator 1985) luan që nga viti 2003 me skuadrën greke, Arisi i Selanikut. 

Andi Lila, mbrojtësi i talentuar i Tiranës, është “pinjoll” i Besës i Kavajës. I lindur më 12 shkurt 1986 në Kavajë, Lila (5 ndeshje si kuqezi) ka pasur edhe një aventurë të shkurtër në Selanik, me Iraklisin.

Endri Vrapi, mbrojtësi i Elbasanit, të cilin Han nuk harron kurrë ta ftojë në përfaqësuese, ka lindur në Tiranë, më 23 maj 1982. I formuar te Partizani, Vrapi ka luajtur gjatë karrierës së tij të re edhe me Lushnjën, Elbasanin, Teutën e Tiranën.
 

MESFUSHA

Lorik Cana (35 ndeshje), futbollisti më i shtrenjtë shqiptar në Europë dhe kapiteni i Olimpikut të Marsejës në Francë, ka lindur në Prishtinë, më 27 korrik 1983. Seks-simboli i futbollit francez dhe ylli i padiskutueshëm i sportit shqiptar në arenën ndërkombëtare, ka katër nënshtetësi: shqiptare, kosovare, zvicerane e franceze.

Altin Lala, kapiteni i Kombëtares shqiptare (70 ndeshje), ka lindur në Kavajë, më 18 nëntor 1975 . “Xhuxhi luftarak” e “besniku i përjetshëm” i Hanover 96 në Gjermani është një tjetër lojtar me dy nënshtetësi: shqiptare dhe gjermane, ndërkohë që është martuar me një italiano-gjermane. Është lojtari më i “moshuar” i Kombëtares aktuale, 33-vjeç.

Ervin Skela, i lindur në Vlorë më 17 nëntor 1976, numëron tetë ekipe në Gjermani dhe dy në Shqipëri. Fantazisti (59 ndeshje, 10 gola) ka dhe nënshtetësi italiane e në karrierën e tij ndodhet edhe Askoli i Serisë A.

“Ndërkombëtari” Klodian Duro edhe pse ka lindur në Elbasan, më 21 dhjetor 1977, është me origjinë nga Përmeti. Mesfushori “poliedrik” (55 ndeshje) ka një karrierë të pasur futbollistike me katër nga klubet më të mëdha në Shqipëri: Elbasani, Vllaznia, Tirana, Partizani, por dhe në Turqi, Gjermani e aktualisht në Qipro (me Omonian).

 Ansi Agolli (ka lindur në Tiranë, më 11.10.1982) është përfaqësuesi tipik i kryeqytetit shqiptar dhe rekordmenëve të Shqipërisë, Tiranës. Me tre ekipe në Shqipëri (Tirana, Apolonia e Elbasani) dhe tri skuadra jashtë vendit: Nojshatëll Ksmaks e Lucern (të dyja në Zvicër) e Vaasa në Finlandë, 26-vjeçari dallohet për temperamentin e tij impulsiv në 8-të ndeshjet e luajtura me përfaqësuesen.

Ervin Bulku është një tiranas tipik. I lindur më 3 mars 1981 në Tiranë, “Uku” përveç dashurisë së tij të madhe, klubit të futbollit Tirana, është duke shijuar edhe aventurën me Krivbasin në Ukrainë.

Dorian Bylykbashi (lindur më 8 gusht 1980 në Elbasan) është kapiteni i Krivbasit në Ukrainë. Pasardhësi i Ervin Skelës ka luajtur në Shqipëri me Elbasanin, Vllazninë e Partizanin. I pari e thirri Brigel, më pas Bariç e tani Hani.

Elis Bakaj, lojtari më i shtrenjtë në merkaton e brendshme shqiptare (100 mijë euro kushtoi transferimi i tij nga Partizani te Dinamo) ka lindur më 25 qershor 1985. Bakaj mban edhe rekordin shqiptar si lojtari më i ri që është aktivizuar në një ndeshje ndërkombëtare, vetëm 16 vjeç 330 ditë në ndeshjen Partizani-Makabi Netanjau (Kupa Intertoto, 2002).

Gilman Lika konsiderohet si “Sabah Bizi” i ri i futbollit shkodran. I lindur më 31 janar 1987 në djepin e “topkëmbës” shqiptare, Lika (i preferuari i Hanit) luan aktualisht në Turqi me Hacetepenë.

SULMI

Besart Berisha (13 ndeshje, 2 gola) është dhe lojtari me më shumë eksperiencë ndërkombëtare në vijën e parë të Shqipërisë. I lindur në Prishtinë (29 korrik 1985), Besarti ka një eksperiencë ndërkombëtare “anglo-saksone” (Gjermani-Angli) dhe “nordike” (Danimarkë-Norvegji).

Hamdi Salihi (10 ndeshje, 1 gol), i mbiquajtur “Gerd Myleri” shqiptar, ka cilësi sa të Vioresin Sinanit dhe po aq të Medin Zhegës. Salihi ka lindur në Shkodër, më 19 janar 1984, por përveç Vllaznisë së tij ka shijuar edhe Tiranën (Shqipëri), Panionos (Greqi) e SV Ried (Austri).

Xhevahir Sukaj (1 ndeshje) konsiderohet si një tjetër “dhuratë” e Vllaznisë për përfaqësuesen shqiptare. Sulmuesi shkodran ka lindur më 5 tetor 1987, në Shkodër. Vllaznia e Elbasani janë ekipet e tij në Shqipëri, ndërsa Hacetepe për një periudhë 6-mujore në Turqi.

Migen Memelli, golashënuesi më i mirë aktual i kampionatit shqiptar (14 gola) ishte surpriza e madhe e Hanit, pasi tekniku holandez la jashtë Erion Bogdanin. Memelli ka lindur më 25 prill 1980 në Pogradec, por ka në “biografinë” e tij sportive përveç Skënderbeut, Elbasanit, Teutës, Kastriotit, Laçit e Tiranës, edhe Bran Bergenin në Norvegji e Gaisin në Suedi.

TRAJNERI
Ari Han është i vetmi i huaj i përfaqësueses së Shqipërisë. Tekniku karizmatik holandez ka lindur më 16 nëntor 1948 në Finstervolde të Holandës. Më parë ka drejtuar ekipet Kombëtare të Kinës dhe Kamerunit.

“HARTA” E LOJTARËVE KUNDËR HUNGARISË E DANIMARKËS

Portierë
1.Arian Beqaj         Prizren, Kosovë     
2.Isli Hidi         Tiranë, Shqipëri
3.Samir Ujkani         Vuçitern, Kosovë       

Mbrojtës
4.Andi Lila         Kavajë, Shqipëri
5.Armend Dallku         Prishtinë, Kosovë        
6.Debatik Curri         Prishtinë, Kosovë    
7.Kristi Vangjeli     Korçë, Shqipëri
9.Endrit Vrapi         Tiranë, Shqipëri
9.Elvin Beqiri         Shkodër, Shqipëri
10.Admir Teli         Shkodër, Shqipëri

Mesfushorë
11.Ansi Agolli         Tiranë, Shqipëri
12.Lorik Cana         Prishtinë, Kosovë
13.Altin Lala         Kavajë, Shqipëri
14.Ervin Skela         Vlorë, Shqipëri
15.Gilman Lika         Shkodër, Shqipëri
16.Ervin Bulku         Tiranë, Shqipëri
17.Dorian Bylykbashi     Elbasan, Shqipëri
18.Elis Bakaj         Tiranë, Shqipëri
19.Klodian Duro         Elbasan, Shqipëri

Sulmues
20.Hamdi Salihi         Shkodër, Shqipëri
21.Xhevahir Sukaj     Shkodër, Shqipëri
22.Besart Berisha     Prishtinë, Kosovë
23.Migen Memelli     Pogradec, Shqipëri

Trajner
Ari Han            Holandë

SHIFRAT
17
futbollistë të Kombëtares kanë lindur në Shqipëri

6
lojtarë të thirrur nga Han janë me origjinë nga Kosova

5
kuqezinj kanë lindur në kryeqytetin shqiptar, Tiranë

4
futbollistë përfaqësojnë Shkodrën në Kombëtaren A
7
qytete shqiptare përfaqësohen në listën anti-Hungari e Danimarkë

E Shtune, 21 Mars 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›