Kombëtarja, kuqezinjtë duan të reagojnë
Sot, në orën 13.00, në Prilep, miqësorja Maqedoni-Shqipëri. Për kuqezinjtë tanë ndeshja e dytë pa trajner, megjithatë stafi shfaqet me shumë optimizëm
Tjetër klimë shfaqet në ekipin kombëtar, edhe pse skuadra nuk ka ende trajner, edhe pse ka mungesa, edhe pse ekipi ka rënë moralisht. Kombëtarja kuqezi ka kryer edhe përgatitjet e fundit në një kohë, që sot në orën 13.00, në Prilep, do të luajë miqësoren e planifikuar më parë. Trajneri Mustedanagiç mendon, se pavarësisht situatës më të fundit, ekipi duhet të luajë si 45 minutat e fundit me azerët.
Kjo është deviza e trajnerit të përkohshëm të skuadrës, në vigjilje të kësaj ndeshjeje. Që do të thotë: Të luhet me maqedonasit, si në 45 minutat e dyta me Azerbajxhanin. Skuadra kombëtare është në nivelet e saj më të ulëta të besimit, apo ngjizjes me tifozët, megjithatë ata që janë dhe veshin aty atë fanellë nuk e humbasin toruan. Realisht duhet një trainer, por nga ana tjetër tashmë nuk ka arsye pse duhet ngutur.
Skuadra ka kryer edhe dje seancën stërvitore, në një kohë që nuk ka ndodhur aspak kështu me ekipin maqedonas, i cili ka preferuar Shkupin për trajning. Edhe në ekipin maqedonas nuk fryn fort erë e mirë, megjithatë duhet thënë fakti që në ekipin shqiptar po tentohet që të ndryshojë ana morale.
Bogdani nuk është në dispozicion, teksa trajneri mendon të luajë sërish pak a shumë me stil ofensiv, në një kohë që rreshtimi nuk pritet të pësojë ndryshime të mëdha. Në Prilep, skuadra kombëtare, për habi të të gjithëve ka hasur në një klimë shumë miqësore. Një shenjë, e cila është pritur mirë edhe nga kuqezinjtë, por edhe për ata pak tifozë të skuadrës përfaqësuese.
Në kampin kundërshtar ka mungesa, në një kohë që Shqipëria nuk dorëzohet, kërkon të njëjtin reagim si në 45 minutat e dyta në takimin e Tiranës. Notat e deklaratave të trajnerit të përkohshëm dhe të kapitenit janë në antipode me situatën, në një kohë që skuadra është aty për një reagim. Të luajmë edhe sot, jo thjesht për një prezantim të mirë, por edhe për një tjetër anë morale.
Mustedanagiç: Sot dua pjesën e dytë kundër Azerbajxhanit
Kërkoj nga ana e futbollistëve të realizojnë atë 45-minutësh të dytë si në ndeshjen kundër Azerbajxhanit, në mënyrë që të bëjmë të mundur një fitore, pse jo kundër skuadrës maqedonase. Në Prilep kemi ardhur për të fituar. Shpresoj që Shqipëria të përsërisë lojën e pjesës së dytë kundër Azerbajxhanit dhe, nëse ndodh kjo, atëherë nuk duhet të brengosemi për të ardhmen tonë.
Formacioni do të jetë sikur ai ndaj Azerbajxhanit, që do të thotë se nuk do të ketë ndryshime. Kundërshtari duhet vlerësuar, luan në fushën e tij, ka edhe ai mungesa, por mendoj se kemi mundësitë që të luajmë fort, dhe pas rezistencës, të bëjmë pse jo edhe rezultat. Ndeshjet e skuadrës kombëtare janë sfida të këtij rangu që kërkojnë vlerësimin e tyre dhe këtë e them duke mos marrë parasysh faktin se është miqësore. Kjo ka vlerën e saj.
Dua që ekipi të komportohet në fushë, të realizojë atë harmoni lëvizjesh si në pjesën e dytë të takimit të Tiranës, duke prodhuar. E kuptoj që klima të imponon të marrësh një fitore, por kundërshtari nuk është aq modest. Skuadrës i shërben shumë kjo ndeshje, ku gjithsecili nga futbollistët duhet ta kuptojë fare mirë pozicionin dhe aktivizimin e tij.
Kam besim se do të reagojmë shumë, duke luajtur mirë dhe duke tentuar maksimumin për të marrë fitoren. Taktikisht? Jo thelbësore, por do të provojmë jo pak. Kam besim te grupi, kam shumë besim.
Cana: Kemi ardhur për të fituar, për tifozët tanë
Ne kemi ardhur për të fituar. Dhe kudo që luajmë, mundohemi të arrijmë fitore dhe këtë e bëjmë për shkak të tifozëve tanë. Edhe në Maqedoni ka shumë shqiptarë, por në këtë takim nuk pres shumë shikues, sepse po ndeshja luhet në një qytet që është larg mjediseve shqiptare. Fanella e kombëtares është një fanellë, të cilën duhet ta mbash me krenari dhe dinjitet.
Skuadra dhe të gjithë ne duhet të futemi në fushë për të fituar. Pavarësisht gjendjes, ne jemi aty për të luajtur dhe, pse jo, edhe për të marrë një fitore. Sipas meje, të gjitha ndeshjet e ekipit kombëtar janë shumë të rëndësishme, ato nuk mund të kategorizohen. Natyrisht që takimet zyrtare eliminatore kanë përfunduar, por edhe miqësoret kanë vendin dhe rëndësinë e tyre.
Të gjithë që mbajnë veshur fanellën e skuadrës kombëtare kanë një peshë të rëndë dhe për çdo përfaqësim të tyre duhet të japin maksimumin. Do të luajmë lojën tonë. Do të tentojmë që të kapim hapësirat boshe, por mbi të gjitha skuadra kombëtare do të bëjë lojën e saj dhe do të futet në fushë për të fituar.
Nuk më duket kaq alarmante kjo gjendje. Kemi bërë edhe përfaqësime të mira dhe kështu do të provojmë edhe sot. Grupi ka nevojë shumë të përshtatet mirë me lojën e njeri-tjetrit. Të futemi në fushë për të fituar.
MAQEDONIA
Toshak, pa katër futbollistë kundër kuqezinjve
Do të jetë kjo njëherit edhe ndeshja e fundit për vitin 2011-të për Maqedoninë këtë vit, i cili duhet harruar shumë shpejt. Maqedonia në vitin 2011-të zhvilloi gjithsej 8 ndeshje, 6 prej të cilëve në kuadër të eliminatoreve për europianin e vitit 2012-të. Nga të gjitha ndeshjet Maqedonia shënoi vetëm 2 fitore, edhe atë kundër Andorrës në ndeshjet kualifikuese, si dhe në miqësoren kundër Azerbajxhanit.
Ndeshja kundër Shqipërisë do të jetë miqësorja e tretë brenda këtij viti, ndërsa nga tabori i verdhekuqve shpresojnë se do ta mbyllin me fitore edhe përkundër problemeve që kanë me futbollistë të lënduar. Trajneri Xhon Toshak për këtë ndeshje nuk do të mundë të llogarisë shërbimet e Pandevit, Novevskit, Popovit dhe Triçkovskit, ndërsa në pikëpyetje është edhe paraqitja e Agim Ibraimit. Kështu një farë situate ndryshe ka edhe në kampin maqedonas
Shkurt
- Futbollistët kuqezinj pothuajse gjatë gjithë ditës kanë hasur në interesimin e jo pak tifozëve shqiptarë në Prilep. Në fakt, nuk kanë qenë të shumtë, por habia më e madhe edhe për mediat shqiptare në Maqedoni ka të bëjë me faktin se këtë herë Prilepi, që shfaqet si një zonë jo pak nacionaliste, ka treguar tërësisht anën tjetër.
Ka ardhur Shqipëria dhe tjetër klimë është. Një interes nga ajo pakicë e mbështetësve kuqezinj, të cilët kërkojnë foto, autografe, apo edhe pak kohë bisede me futbollistë të skuadrës shqiptare. Pas drekës, dje skuadra kombëtare ka dalë në një shëtitje të vogël përreth Prilepit.
- Maqedonia ka bilanc pozitiv me Shqipërinë. Deri tani ata janë takuar 7 herë: Maqedonia ka fituar 4 miqësore, Shqipëria vetëm 1 dhe dy të tjera kanë përfunduar në barazim. Ndeshja e fundit midis këtyre dy kombëtareve është luajtur në Korçë, më 17 nëntor të vitit të kaluar, dhe është mbyllur në barazim, 0-0.
Treshe sllovene për sfidën kundër Maqedonisë
Ndeshja do të luhet në stadiuminGoce Dellçev të Prilepit në orën 13.00. Një treshe gjyqtarësh nga Sllovenia do të drejtojnë këtë takim, me në krye me Sllavko Vinçiç, i cili do të ndihmohet nga Andrej Kokol dhe Bojan Ul.
