E Shtunë, 31 Tetor 2026

Super-Sadiku, Shqipëria i merr pikë Portugalisë

Nga Durrësi, Dorian Agolli

Sulmuesi i Lokarnos ka shënuar dopietë, njërin gol më të bukur se tjetrin, çka tregon se është lojtar i së ardhmes për kombëtaren e madhe

Shqipëri – Portugali      2-2

Shënues: Sadiku 55′, 77′/ Hozue 20, Eduardo 62′

Shqipëria: Frashëri, Prençi, Sallaj, Fejzullahu, Dosti, Telushi (Shkurtaj 80′),

Brahimi (Bunjaku 60′), Imami, Vajushi (Hoxha 92), Bala, Sadiku. Trajner: S. Gega

Portugalia: Mika, Cedric, Mendez, Pereira, Ferreira (Ludoviç 87′), Almedia, Agra (Pele 46′) , Martins, Oliveira (Fonte 57′), Hozue, Eduardo. Trajner: R. Zhorzh

Gjyqtarë: I. Kruzhliak, M. Balko, O. Brendza (Sllovaki)

Kartonë të verdhë: Imami (2), Telushi, Sallaj, Cedriç, Agra, Mendez

Karton i kuq: Imami

2- Portugezët shfaqen të rrezikshëm që në fillim të takimit, por goditja e Suarezit përfundon jashtë.

10- Suarez, më i rrezikshmi në radhët e Portugalisë, kroson bukur nga e majta, por topi i goditur nga Andre Martins devijohet mrekullisht nga portieri Frashëri.

19- Atë që nuk e bëri në minutën e 2-të Andre Suarez e bën në të 20-ën, teksa godet saktë me kokë pranë zonës së portierit dhe 0-1. Vajushi dhe Sallaj nuk e mbulojnë si duhet.

28- Imami kroson nga mesfusha, Bala godet me kokë, por topi është i lehtë për portierin Mika.

52- Kombinim i bukur mes Vajushit dhe Sadikut, ky i fundit gjuan fort, por topi kalon disa centimetra mbi tra.

54 Andre Martins për pak sa nuk e dërgon topin në rrjetë, por Stivi Frashëri bën mrekullinë.

55- Top i gjatë nga thellësia e mbrojtjes së kuqezinjve, Bala e ul bukur topin për Sadikun i cili godet me të parën, duke e dërguar në krahun e majtë të portierit Mika. 1-1.

59- Vajushi provon fort nga distanca, por topi është mbi tra.

62- Pas një aksioni pa shumë pretendime nga krahu i djathtë i mbrojtjes, Eduardo e devijon topin me kokë, duke e kaluar mbi portierin Frashëri, 2-1.

72- Sërish dyshja Bala-Sadiku bën mrekullinë. Pas një aksioni të gjatë të kuqezinjve, Bala bën që topi të ndalet në zonë, aty ku Armando Sadiku godet shumë shpejt, duke e dërguar topin në cepin e djathtë të portës së Mikas, 2-2.

Komenti

Shqipëria e Skënder Gegës merr pikën e parë në eliminatoret e Euro 2013-s në një përballje shumë të vështirë me Portugalinë, që nga cilësia ishte në të njëjtin nivel me Rusinë. Falë dopietës së sulmuesit Armando Sadiku, kuqezinjtë 21-vjeçarë dolën me kokën lart nga Niko Dovana.

Duhet theksuar se kuqezinjtë ka pasur edhe fatin me vete, pasi në shumë raste ose sulmuesit kanë gabuar, ose shpëtimtar ka qenë portieri Stivi Frashëri. Gega duhet përgëzuar për ndërtimin e një skuadre kompakte, ndonëse dukej qartë që ky grup ka shumë punë për të bërë.

Pjesa e parë  

Gega, ndryshe nga ndeshja e pak ditëve më parë me Rusinë, kishte bërë disa ndryshime në formacion. Kështu, Arbnor Fejzullahu akrivizohet në krahun e djathtë në vend të Peqinit, Sallaj-Prençi në qendër të mbrojtjes, ndërsa Imami në të majtë. Nga minuta e parë luan Bekim Bala, duke forcuar sulmin përkrah Sadikut në vijën e pare, ndërsa Bunjaku qëndron në stol.

Ndeshja nuk nis mirë për kuqezinjtë, të cilët në 20 minutat e para nuk orientohen dot. Madje qysh në të minutën e 2-të Portugalia ka një rast të pastër, që fatmirësisht nuk shndërrohet në gol. Atëherë kur skuadra e Gegës nis të organizohet, vjen goli i miqve, që shfrytëzojnë rreshtimin e gabuar të mbrojtjes sonë.

Shqipëria 25 minutat e para e ka të vështirë të shkelë në gjysmëfushën mike. Një goditje e letë me kokë e Balës është shumë pak për të rrezikuar seriozisht. Skuadrat shkojnë në dhomat e zhveshjes me rezultatin minimal 0-1.

Pjesa e dytë

Trajneri Gega i beson formacionit të pjesë së parë, ndërsa udhëzimet janë për të parë më shumë nga porta kundërshtare. Portugezët bëjnë vetëm një ndërrim dhe janë dominues në lojë, por kuqezinjtë në rastin e parë të rrezikshëm në këtë pjesë arrijnë të shënojnë. Bekim Bala ul me kokë për Sadikun një top të gjatë që vjen nga mesfusha jonë, sulmuesi i Lokarnos, pa u menduar dy herë, e godet fluturimthi, duke shënuar një gol shumë të bukur.

Entuziazëm i madh në radhët e kuqezinjve, teksa të gjithë festojnë me trajnerin Gega. Barazimi zgjat pak minuta, pasi portugezët kalojnë sërish në avantazh, duke befasuar mbrojtjen shqiptare. Por kuqezinjtë  nuk dorëzohen dhe në një aksion të gjatë, falë këmbënguljes së Balës në zonë, Sadiku bën mrekullinë, duke e dërguar topin sërish në rrjetë, 2-2.

Vetëm 2-3 minuta pas golit të barazimit, Imami merr kartonin e dytë të verdhë, duke e detyruar skuadrën Gegës të heqë dorë nga goli i fitores dhe të përqendrohet më shumë në mbrojtje. Fatmirësisht, me gjithë rastet e krijuara, Shqipëria arrin ta ruajë deri në vërshëllimën e fundit rezultatin.

 

Renditja e Grupit 6

1. Rusia                      4          0          0          11-1    12

2. Portugalia              2          2          1          11-5    8

3. Polonia                  2          1          2          8-7      7

4. Shqipëria               1          1          3          9-13    4

5. Moldavia               1          0          4          4-17    3

Ndeshjet e zhvilluara

Shqipëri Poloni     0-3

Shqipëri Moldavi 4-3

Poloni Shqipëri     4-3

Shqipëri Rusi         0-1

Shqipëri Portugali 2-2

 

Ndeshjet e ardhshme

06.06.2012    Portugali Shqipëri

12.06.2012    Rusi Shqipëri

06.09.2012    Moldavi – Shqipëri

Deklarojnë.

Skënder Gega, trajner i Shqipërisë: Rezultati për mua është më tepër se i suksesshëm, sepse Portugalia është një ekip që shumicën e lojtarëve i ka pjesë të ekipeve të mëdha europiane. Ne kemi ardhur në këto dy ndeshje me probleme të shumta. Kam aktivizuar lojtarë të ndryshëm nga njëra ndeshje në tjetrën, sepse dua ti provoj të gjithë, por koha është e paktë.

Sot (dje) kemi dhënë maksimumin në fushë dhe morëm një pikë. Jam i lumtur për këtë, por kemi shumë punë për të bërë. Kam nxjerrë në fushë lojtarë të datëlindjes 1993 dhe 1992, ndërsa ekipet kundërshtare i kanë patur të viteve 1990 dhe 1991. Armando Sadiku është një pikë reference për ekipin U-21 dhe i uroj suksese të mëtejshme.

Macedo Oliveira, trajner i Portugalisë: Ne shënuam një gol, por u ndëshkuam nga barazimi i shqiptarëve. Shënuam, por sërish u ndëshkuam me një gol të dytë. Ishte normale gjithçka kjo që ndodhi për ekipin shqiptar, por për Portugalinë jo, sepse ne humbëm shumë raste para portës. Për ne është një rezultat i keq. Më ka pëlqyer Sadiku, i uroj shumë suksese. Eshtë lojtar magjepsës, gjuajti dy herë në portë dhe i dha rezultatin Shqipërisë. Gjithashtu edhe portieri më la shije të mire, sepse na mohoi golin në shumë raste.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›