E Diel, 1 Nëntor 2026

Kombëtarja, në Tbilisi nis epoka “De Biazi”

TIRANE-Kombëtarja shqiptare do të luajë të mërkurën në orën 15.00, ndeshjen e parë nën drejtimin e trajnerit italian Xhani De Biazi. Kuqezinjtë do të ndeshen në Tbilisi ndaj Gjeorgjisë, duke kërkuar një rezultat të mirë edhe pse me mungesa të shumta dhe me një formacion të mbushur me të rinj.

Në seancën e fundit stërvitore, trajneri Xhani De Biazi është përqendruar sidomos te pjesa taktike, duke mos dalë dot nga natyra e tij prej italiani. Ai ka bërë minuta të tëra shpjegimi për futbollistët, për mënyrën sesi ata duhet të lëvizin në fushën e lojës, madje edhe për mënyrën sesi duhet të ekzekutojnë goditjet e dënimit apo penalltitë. “Nuk e njoh edhe aq mirë Gjeorgjinë, por kemi ardhur këtu për një rezultat të mirë dhe ju siguroj që do të kërkojmë fitoren. Është ndeshja e parë për mua dhe dua që ta nis mbarë”, tha De Biazi para gazetarëve gjeorgjianë.
Ndërkohë, kapiteni i Shqipërisë në këtë ndeshje, Ervin Bulku, ka kujtuar sfidat e shumta të zhvilluara mes Shqipërisë dhe Gjeorgjisë në dhjetëvjeçarin e fundit. “Rikthehem në Tbilisi pas 6 vjetësh, - ka deklaruar Bulku. – Kujtoj që në Tiranë kemi fituar ne, ndërsa këtu fituat ju. Por, këtë herë mendoj se do të jetë ndryshe, pasi mendoj se ky ritual mund të prishet”, shtoi kapiteni i Shqipërisë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›