Salihi: Miqësorja nuk është sa për të kaluar radhën
Golashënuesi i talentuar shkodran, Hamdi Salihi, e ka marrë shumë seriozisht miqësoren e radhës me Lihtenshteinin. Për 24-vjeçarin që do të jetë titullar, ky është një shans, i cili duhet shfrytëzuar në maksimum. Po kalon një gjendje të mirë dhe këtë e tregojnë golat e shënuar në kampionatin austriak me Riedin. Vjen në grumbullimin me kuqezinjtë pas dygolëshit në Kupën e Austrisë, por dëshira e madhe në aspektin personal është paraqitja sa më e mirë me kombëtaren. Ndër të tjera, sulmuesi tregon edhe për të veçantën që do të ketë në fushë të mërkurën. Kundërshtari i tij do të jetë shoku i ekipit, Martin Stoklasa, teksa gjatë javës te Riedi është folur shumë për këtë duel.
- Pas golave me Riedin, duket se jeni në formën e duhur për të shënuar edhe me kombëtaren...?
- Para se të udhëtoja drejt Shqipërisë, shënova dy gola në ndeshjen me Vjenën, e vlefshme për Kupën e Austrisë. Tani shpresoj që diçka e tillë do të ndodhë edhe me Lihtenshteinin. Ndihem i lumtur që po kaloj një gjendje të mirë. Për ne sulmuesit goli është gjëja më e rëndësishme, kështu që varemi prej tyre.
- Lihtenshteini duket një kundërshtar modest. Si e vlerësoni këtë miqësore, duke pasur parasysh që është një provë para eliminatores me Suedinë?
- Personalisht e shikoj shumë të rëndësishme këtë miqësore. Jam lojtar i ri dhe këtë shans dua ta shfrytëzoj në maksimum. Nuk e mendoj ndeshjen sa për të kaluar radhën. E kam marrë shumë seriozisht dhe besoj se do të shënoj. Pasi të kem bërë mirë detyrën ndaj Lihtenshteinit, do të filloj të mendoj për Suedinë.
- Nga sulmuesit, këtë herë trajneri Ari Han ka thirrur vetëm ju dhe Kapllanin. Mendoni se ka ardhur momenti që kjo dyshe të shpërthejë?
- Fillimisht dua të them se jam nga ata lojtarë, të cilët nuk ankohen as për minutat e pakta, as për mosthirrjen në kombëtare. Kam qenë në konkurrencë ndoshta me lojtarët më të mirë të kombëtares. Për këtë jam i ndërgjegjshëm dhe Edmond Kapllani është njëri prej tyre. Dihet potenciali i tij, por në lidhje me të tjerat, çdo gjë vjen gjatë lojës, pasi nuk i dihet. Duhet edhe pak fat, sepse loja një herë të merr për mirë, një herë për keq. Megjithatë, kur ke lojtarë të mirë në krah, gjithnjë ajo bëhet më e lehtë.
- Përballja me Lihtenshteinin është disi e veçantë për ju, pasi do të mbroheni në fushë nga shoku i ekipit, Stoklasa. Ç'mund të na thoni për këtë?
- Pa dyshim që do të jetë e veçantë. Ka gati dy-tri javë që në seancat stërvitore shokët e ekipit po na ngacmojnë. Mund të them se Martin Stoklasa është një lojtar i mirë dhe mban shiritin e kapitenit në kombëtaren e Lihtenshteinit. Te Riedi janë të bindur që dyluftimin me të do ta fitoj unë.
- Ju ka lënë ndonjë porosi trajneri i Riedit?
- Jo, por batutat nuk kanë munguar. Gjatës seancës së fundit trajneri iu drejtua Stoklasës, duke i thënë: "Kujdes me Salihin, se mos na e sjellësh këtu me ndonjë këmbë të thyer." Edhe futbollistët këtë gjë i thoshnin, duke ia përsëritur që ndaj meje të ketë kujdes gjatë ndërhyrjeve. Ai është stoper dhe do të jetë kundërshtari im direkt në fushë.