Kombëtarja nuk fiton dot as me “Mamurrasin” turk
Kombëtarja (B) e futbollit, ose më saktë përfaqësuesja e lojtarëve më të mirë të kampionatit shqiptar nuk arrin të fitojë edhe me një ekip të kategorisë së katërt të Turqisë, siç ishte dhe rasti i barazimit 2-2 me Siirtspor Jetpa, që merr pjesë në Ligën e 3-të turke, Grupi 5, që në terma më të thjeshtë mund të jetë një skuadër e versionit të Mamurrasit apo Albpetrolit, respektivisht kryesues të grupit të Veriut dhe të Jugut në Kategorinë e Dytë shqiptare. Gjithsesi, 20 mijë dollarë të shpenzuara për grumbullimin e 20 lojtarëve për 7 ditë në Turqi, përfshirë këtu dhe stafin teknik e atë të prapavijës, duket se ia ka vlejtur për trajnerin Josip Kuzhe për të ndërtuar opinionin e tij rreth futbollistëve të kampionatit shqiptar, të cilin ai konsideron jo shumë cilësor, por me tipare luftarake.
NDESHJA
Ndryshe nga takimi i parë miqësor kundër Adanasporit të kategorisë së dytë turke (Liga 1), ku përfaqësuesja jonë humbi me rezultatin 2-1 dhe trajneri Kuzhe aktivizoi nga fillimi këtë formacion: Moçka (Flamurtari), Lila (Tirana), Pisha (Dinamo), Shoshi (Apolonia), Samina (Gramozi), Muça (Dinamo), Sefa (Tirana), Muzaka (Tirana), Bakaj (Dinamo), Vila (Lokomotiva Zagreb) dhe Bala (Vllaznia), në ndeshjen kundër modestëve të Siitsporit, kroati bëri katër ndryshime në formacion, duke hedhur nga minuta e parë Gocajn e Kastriotit, Roshin e Flamurtarit, Veliajn e Laçit dhe Shkurtaj e Olimpiakosit, në vend të Klodian Saminës (Gramozi), Maringlen Shoshit (Apolonia), Emiliano Vilës (Lokomotiva Zagreb, tani Dinamo) dhe Bekim Balës (Vllaznia).
Talenti fierak i Flamurtarit, Odise Roshi shënoi golin e parë për Shqipërinë në minutën e 3-të, pasi i rrëmbeu me zgjuarsi topin kundërshtarit. Dhjetë minuta më pas, Elis Bakaj ekzekutoi një goditje të lirë e Andi Lila shënoi me kohë, por gjyqtari e anuloi golin për pozicion jashtë loje , ndërkohë që asistenti i tij nuk e sinjalizoi. Sipas faqes zyrtare të federatës, fshf.org, ekipi vazhdoi të luajë mjaft mirë gjatë pjesës së parë. Gjithashtu duhet përmendur fakti se skuadra kombëtare ishte vendosur mire dhe në mbrojtje. Sërish janë minutat e para ato të fatit për Shqipërinë. Sapo filloi fraksioni i dytë, mesfushori i Tiranës, Gjergji Muzaka, fitoi një goditje këndi. Jetmir Sefa (Tirana) ekzekutoi dhe sulmuesi i Besës, Sokol Cikalleshi realizoi me një goditje të saktë me kokë golin e dytë për Kombëtaren tonë në minutën e 2-të. Rreth minutës së 20-të të pjesës së dytë pas një pozicioni të dukshëm jashtë loje, lojtarët e Siirtsor Jetpas futen në zonë, Samina bëri faull dhe arbitri akordon 11-metersh per ekipin turk që u shndërrua në gol. Në minutën e 40-të pas një rrëmuje në zone, Jetpa shënoi edhe golin e dytë, duke mbyllur takimin në 2-2. Në takimin e parë miqësor kundër Adanasporit të kategorisë së dytë turke (Liga 1), përfaqësuesja jonë (me lojtarë nga kampionati shqiptar) humbi me rezultatin 2-1. Golin e vetëm në atë takim për formacionin e udhëhequr nga Josip Kuzhe e realizoi mbrojtësi i Tiranës, Andi Lila (66’) me një gjuajtje jashtë zonës. Sipas fshf.org, trajneri Josip Kuzhe u shpreh se përgjithësisht mbeti i kënaqur me lojën e ekipit, sidomos me fazën mbrojtëse në krahasim me ndeshjen e pare. Pas kësaj ndeshje lojtarët e thirrur do të rikthehen në Shqipëri, më 10 janar, ndërkohë futbollistët e Tiranës dhe të Dinamos do të vazhdojnë grumbullimin me skuadrat e tyre, të cilat po kryejnë fazën përgatitore po në Antalia të Turqisë. Dinamo ka disa ditë që ka mbërritur në Belek, ndërsa Tirana mbërriti të shtunën në Kemer.
Miqësore
Gramozi – Shkumbini 0-0
Gramozi dhe Shkumbini u ndanë në një barazim të bardhë në miqësoren e zhvilluar në Ulqin të Malit të Zi, atje ku dhe skuadrat e Agim Canajt dhe Përparim Daiut po zhvillojnë fazën përgatitore.
Besa-Laçi 2-1
Besa fitoi 2-1 miqësoren me Laçin. Takimi u zhvillua në kompleksin e ekipeve kombëtare në Kamëz. Trajneri i Besës, Shpëtim Duro, pati në dispozicion edhe sulmuesin Vioresin Sinani.
Golat për Besën u shënuan nga Alban Dragusha e Bruno Okshtuni, ndërsa për Laçin nga Julian Brahja.
Përmbytjet
FSHF-ja, 5 milionë lekë ndihmë
Federata Shqiptare e Futbollit, thellësisht e shqetësuar për fatin e banorëve të zonave të përmbytura në rrethin e Lezhës dhe Shkodrës, bën publik qëndrimin e saj zyrtar për mbështetjen e banorëve që gjenden në vështirësi. Federata Shqiptare e Futbollit, deklaron se do të verë në dispozicion të të prekurve nga prurjet e jashtëzakonshme të reshjeve, një shumë prej 5 milionë lekë, të cilat prej sot do të kalojnë në numrin e llogarisë së posaçme të hapur, për këtë rast fatkeqësie. Ne urojmë që situata e krijuar, të fillojë të qetësohet dhe sa më shpejt të prekurit nga kjo fatkeqësi, natyrore, t’i kthehen jetës normale. Ne mbështesim të gjithë faktorët, të cilët përpiqen dhe punojnë çdo çast, për përmirësimin e situatës dhe kthimin e normalitetit. FSHF-ja, uron që gjithçka të qetësohet dhe falënderon publikisht forcat që punojnë për ndryshimin e gjendjes së rëndë, të krijuar nga reshjet e fundit.
11 Janar 2010