E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqiptari i dehur kapet me 14 kg hashash në makinë

Policia italiane bllokon lëndën narkotike në sarbatorin e makinës. Ishte e ndarë në 14 pako dhe vinte nga Shqipëria

Një tjetër operacion i antidrogës italiane, në bashkëpunim me agjencinë doganore, ka dhënë rezultate dje gjatë një kontrolli të ushtruar në portin e Barit, ku një shtetas shqiptar është ndaluar pasi iu gjetën 14 pako me marijuanë, poshtë sediljes dhe në sarbatorin e automjetit të tij. Mediat italiane raportuan dje se ajo çka i bëri inspektorët e doganës italiane të dyshonin ishte nervozizmi i 34-vjeçarit shqiptar, i cili ishte dhe në gjendje të dehur. Porsa i është nënshtruar kontrollit rutinë të automjetit, shqiptari në gjendje të dehur fillimisht ka debatuar dhe ka shfaqur shenja nervoziteti. Kjo bëri që policët italianë të kalonin automjetin e tij në një kontroll më të imtësishëm dhe 14 pako me 1 kilogramë hashash secila u gjetën nga dedektorët specialë në sarbatorin e automjetit si dhe poshtë sediljes së pasme së pasagjerëve. 34-vjeçari shqiptar është arrestuar në flagrancë dhe pritet të merret në pyetje, për të zbuluar më shumë detaje rreth bashkëpunëtorëve të tij në Itali. Hetimet e deritanishme, të zbardhura nga mediat italiane, tregojnë se sasia e marijuanës mendohet se është siguruar në Shqipëri. E ndërsa ka mundur të kalojë doganën shqiptare, droga është sekuestruar nga policia italiane, edhe falë faktit se korrieri i saj ishte i dehur, duke ngjallur kështu dyshime për të. Hetimet e mëtejshme po kryhen nga policia dhe prokuroria italiane.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›