E Diel, 1 Nëntor 2026

Kombinat, prishet rruga e “Qelqit”, shkak mungesa e kanalizimeve

TIRANE- Prishet disa muaj pas asfaltimit rruga e Qelqit në Kombinat. Mungesa e kanalizimeve dhe pusetave në kohë me shi përmbyt katet e para të banesave. Sipas kryetares së njësisë bashkiake numër 6, Luzhiana Abazaj, ndërmarrja numër dy e Bashkisë së kryeqytetit nisi asfaltimin e kësaj rruge në kohën kur nga njësia bashkiake ishte kërkuar bërja e kanalizimeve, kërkesë e cila nuk u mor parasysh. Abazaj thotë se kjo rrugë tashmë ka dalë jashtë funksioni dhe se në kohë me shi ujërat e zeza dhe të bardha mbulojnë katet e para të banesave.

“Bllokimi i kanalizimeve ndodhi për shkak të asfaltimit që i është bërë kësaj rruge” u shpreh Abazaj.

Kryetarja e njësisë bashkiake numër 6, thotë se buxheti 2010 i Bashkisë së Tiranës nuk parashikon asnjë qindarkë për njësinë numër 6 dhe nëse kjo gjë nuk ndryshohet, investimet sipas Abazaj do të realizohen nëpërmjet granteve të qeverisë.

Sipas Abazaj, Bashkia e Tiranës nuk ka marrë asnjëherë parasysh kërkesat e njësisë për asfaltimin e rrugëve me kanalizim por ka asfaltuar rrugë në kohë premtimesh elektorale.
(e.n/news24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›