E Diel, 1 Nëntor 2026

Kombinati i armëve, ministria kalon në sitë dokumentacionin

 

POLIÇAN - Ekspertë të ardhur nga Ministria e Mbrojtjes do të kalojnë në sitë të gjithë dokumentacionin e Kombinatit Ushtarak në Poliçan. Tre ekspertë të këtij dikasteri ndodhen në Kombinat që prej datës 26 shkurt ndërsa janë fokusuar më së shumti në dokumentacionin e financës, kryesisht atë të hyrjeve dhe daljeve të materialeve të ndryshme. Gjithashtu do të kontrollohet për të zbardhur edhe shpenzimet, dietat etj, nëse ka abuzime ose jo nga ana e drejtuesve. Sipas burimeve në kombinatin e armëve, kontrolli ka lidhje edhe me ngjarjen e ndodhur, kur një grua humbi jetën nga shpërthimi i një djegoreje. Pas kësaj ngjarje ka pasur reagime nga ish-punëtorët, pasi djegoret dhe të gjitha materialet që futen në Kombinat duhet të kalojnë në inventar. Burime brenda drejtorisë bëjnë të ditur se kontrolli i specialistëve të ardhur nga Tirana ka filluar, por ende nuk ka një konkluzion paraprak nga ana e tyre nëse kanë gjetur shkelje ose jo në Kombinat. Mësohet se ky kontroll do të zgjasë për 10 ditë, e më pas do të bëhen publike edhe rezultatet konkrete mbi atë se çfarë është konstatuar. Punëtorët shprehen me rezerva në lidhje me shpenzimet e kryera nga drejtuesit ndër vite, por zyrtarisht nuk ka të dhëna për abuzime konkrete. Sipas punëtorëve, edhe ngjarja ku humbi jetën nëna e dy fëmijëve ka të bëjë pikërisht me abuzimet në dokumentacion, ku askush nuk merrte vesh mbi materialet se sa hynin, sa ishin gjendje dhe ku kishin përfunduar ato që mungonin. Nuk dihet saktësisht se pse kontrolli i Ministrisë së Mbrojtjes do të zgjasë 10 ditë. Kjo ka shkaktuar “panik” te punëtorët, të cilët mbajnë familjet e tyre në sajë të punës që bëjnë prej vitesh në këtë Kombinat.                           d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›