E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shembet dheu, plagoset punëtori

 

MIRDITE

Plagoset në tunelin e Kalimashit babai i 9 fëmijëve. Punëtori 60-vjeçar, Zef Gjokaza po punonte në thellësi 2600 metra, kur një masiv dheu u shkëput duke e zënë nën vete. Ngjarja ndodhi mesnatën e së enjtes, në portalin jugor në Thirrë, ndërsa Gjokaza po hapte vendet për t’u vendosur më pas eksplozivi. Burime nga kjo vepër bëjnë të ditur se punëtori mbeti poshtë grumbullit të dheut e gurëve, teksa po shponte me martinel zonat e minave. Ndërhyrja e shpejtë e kolegëve të tij ka bërë që ish-minatori nga fshati Domgjon i Mirditës të shpëtonte nga vdekja, pasi i kanë hequr nga trupi masivin e rëndë. Mësohet se Gjokaza ndodhej në ballë të punës, pasi ishte detyra e tij të hapte foletë për plasjen e radhës. Një autoambulancë e ka nisur me urgjencë për në spitalin e improvizuar në kampingun e Repsit, ku i është dhënë ndihma e parë. Por gjendja e tij ka qenë mjaft e rëndë dhe për pasojë 60-vjeçari është transportuar për në spitalin e Tiranës e më pas drejt Turqisë, për ndihmë të specializuar. Gjendja e Gjokazës mësohet se është e rëndë, nga shembja e papritur. Shkak i rrëshqitjes, sipas hetimeve të para, ka qenë cilësia e materialit që del. Shpeshherë punonjësit që veprojnë në thellësi mendojnë se kanë hasur në material inertesh të forta, por gjatë punës rezulton e kundërta, duke u provokuar shembja. Specialistët thonë se në punime kaq të vështira dhe voluminoze, koeficenti i rrezikshmërisë për jetën e punëtorëve është i lartë. Një rast tjetër i ngjashëm ndodhi në fund të vitit të kaluar, këtë herë në portalin verior në Kalimash. Një shembje masivi gurësh dhe dherash në thellësi të tunelit të Kalimashit ka shkaktuar pasoja të rënda, duke rrezikuar jetën e një grupi punëtorësh që në ato momente ishin duke punuar për të vënë brezin e sigurisë në ballin e punimeve. Ylber Bytyçi, 40 vjeç nga Kukësi, dhe dy shtetas turq morën plagë të rëndë. Aktualisht në tunelin e Kalimashit kanë mbetur pa u hapur nga 180 metër në secilën galeri dhe punëtorët dëgjojnë zhurmat dhe krismat e punës që vijnë nga ana tjetër ku punohet. Në mes të marsit pritet që të shpohet i gjithë tuneli 5.5 km i gjatë, me dy galeri dhe katër kalime. Tuneli është vlerësuar pjesa më e vështirë e të gjithë autostradës që lidh Durrësin me Kosovën e njëkohësisht më i madhi në Ballkan.           j.h/r.n

Kurbani

Rituali turk i kurbanit në këmbët e urës apo ndërtesës që nis e re ka ardhur në mënyrë origjinale dhe në projektin e “Bechtel Enka”. Në 24 urat që ka gjithë projekti nga Rrësheni në Kalimash janë therur me dhjetëra kokë bagëti, gjaku dhe koka e të cilave është vënë në themelet e urave. Ky rit i lashtë bëhet për të siguruar se ndërtimi nuk do të shembet më dhe nuk do të ketë fatkeqësi në punë e sipër. Në fakt duket se profecia ka ecur shumë mirë deri tani, përballë volumit dhe rrezikshmërisë së punës në këtë vepër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›