Prokuroria “jep” provat e Gërdecit
Fatos Mahmutaj
Prokuroria e Përgjithshme bindet për t’iu dhënë disa nga provat e dosjes “Gërdeci” familjarëve të prekur nga tragjedia e 15 marsit të vitit të kaluar. Gjatë seancës së djeshme, të zhvilluar në Gjykatën e Tiranës, përfaqësuesi i organit të akuzës pohoi se institucioni qendror i akuzës, para se të vendoste nëse do ua jepte apo jo provat e kërkuara, në fillim kërkonte të njihej me një listë të të gjitha provave që u interesonin kërkuesve. Pas kësaj, familjarët e viktimave të Gërdecit dhe përfaqësuesja ligjore e tyre pohuan se u interesonin të gjitha provat hetimore që kishin të bënin me shpërthimin dhe personat e prekur nga tragjedia, si procesverbalet e shumtë që janë mbajtur për dëmtimin e njerëzve dhe dëmin ekonomik. Pas kësaj, përfaqësuesi i organit të akuzës pohoi se do i sillte në gjykatë ditën e hënë këto dokumente. Pastaj do të jetë gjykata ajo që do vendosë nëse do u jepen apo jo kopje të provave familjarëve të viktimave të tragjedisë së 15 marsit 2008 në fshatin Gërdec. Kërkesa e të prekurve nga shpërthimi i fabrikës së demontimit të materialeve luftarake i është paraqitur grupit hetimor të kësaj çështjeje shumë muaj më parë, me qëllimin për t’u përfshirë edhe këta si palë e dëmtuar në procesin e pritshëm penal që do të zhvillohet në ngarkim të 30 të akuzuarve. Por gjatë kësaj kohe, grupi hetimor ka refuzuar dhënien e dokumenteve, çka detyroi familjarët e viktimave t’i drejtoheshin gjykatës së kryeqytetit. Padia iu dorëzua gjykatësit Asim Vokshi, i cili më 22 mars të vitit të kaluar vendosi masën e sigurisë për 3 të arrestuarit e kësaj çështjeje. Sipas ligjeve në fuqi, gjatë hetimeve të gjitha kërkesat që kanë të bëjnë me hetimin e çështjes i dorëzohen për t’u shqyrtuar gjykatësit që ka vendosur masën e sigurisë për të pandehurin. Gjatë seancave të mëparshme, përfaqësuesi i organit të akuzës nuk është shprehur hapur për refuzimin e kërkesës së banorëve të Gërdecit, ndërsa pohuan se do ua vinin në dispozicion dokumentet pasi të njiheshin me listën e tyre. Paditësit pohuan se është e drejtë ligjore e tyre për t’u njohur me aktet e dosjes hetimore, në mënyrë që të përfshihen në procesin penal për të fituar dëmshpërblimin mbi dëmin e shkaktuar nga shpërthimi. Ndërkohë, prokuroria ka pohuar se dosja “Gërdeci” po shkon drejt fundit dhe se pritet dërgimi i saj në gjykatë. Njohja me aktet hetimore, u krijon lehtësi familjarëve të viktimave të Gërdecit dhe atyre që u dëmtuan ekonomikisht, për të ndërhyrë me padi civile në procesin e pritshëm penal. Dje ata pohuan se që nga momenti që do marrin në dorë dokumentet, do nisin formulimin e kërkesës që do paraqesin në gjykimin e themelit të çështjes “Gërdeci”.
“Gërdeci”, padia civile në procesin penal
Sipas ligjeve shqiptare në fuqi, palët e dëmtuara nga vepra penale mund të përfshihen si palë e tretë në procesin penal që zhvillohet në ngarkim të të akuzuarve si autorë. Padia e tyre civile, shqyrtohet paralelisht me atë penale, dhe pushohet nëse kërkuesit nuk paraqiten, e zgjidhin çështjen me kompromis apo heqin dorë vullnetarisht nga padia.