“Listat e zgjedhësve, të pastrohen nga të vdekurit dhe nënshtetasit”
TIRANE – Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, kërkon pastrimin e listave zgjedhore nga emrat e personave që kanë vdekur dhe atyre që kanë lënë shtetësinë shqiptare. Kërkesa e Dobjanit i është dërguar në formën e rekomandimit dy ditë më parë drejtorit të Përgjithshëm të Gjendjes Civile pranë Ministrisë së Brendshme, Armand Teliti, gjithë prefektëve të qarqeve të Republikës së Shqipërisë si dhe kryetarit të KQZ-së, Arben Ristani. Në rekomandim Dobjani u bën atyre thirrje të ushtrojnë kompetencat e tyre ligjore për ç’regjistrimin nga regjistrat e gjendjes civile të personave të vdekur prej vitesh dhe personave që u është hequr shtetësia shqiptare. Duke marrë shkas nga lajme të publikuara në media për praninë në listat zgjedhore të dy kategorive të mësipërme, Dobjani i cilëson ato si elemente që do të komprometonin procesin zgjedhor. Gjithashtu, Avokati i Popullit sjell edhe njëherë vëmendjen se për të ç’regjistruar nga Regjistri i Gjendjes Civile një person që nuk jeton më, nuk duhet medoemos ngritja e padisë prej familjarëve. Pas rekomandimit të bërë në vitin 2002 nga ana e AP, është mundësuar që ligji ri nr. 8950, datë 10.10.2002 për “Gjendjen Civile” të lejojë që vetë shërbimi i gjendje civile mund t’i drejtohet gjykatës me kërkesë-padi për të vepruar. Konkretisht, në këtë dispozitë thuhet se “Shërbimi i gjendjes civile, kur ka të dhëna se persona të vdekur qëndrojnë të regjistruar në regjistrin themeltar, mund të ngrejë padi në gjykatë për të vërtetuar vdekjen”. Në rekomandim Dobjani shprehte edhe problemin e mos ç’regjistrimit të personave që kanë lënë shtetësinë shqiptare, që në 17 vitet e fundit arrin në 6345 vetë. Avokati evidentonte faktin se pas largimit nga shtetësia shqiptare, personat nuk shkojnë më në gjendjen civile për të kryer çregjistrimin nga regjistri themeltar, ku duhet të paguajnë edhe një takse prej 700 lekësh. Në këtë pikë Dobjani shikon edhe një përballje ligjore. Kjo, pasi në dekretin e presintit për personat që lëshojnë nënshtetësinë thuhet se “ligji hyn në fuqi menjëherë”. Në këtë mënyrë personat nuk kanë më arsye të paraqiten në gjendjen civile për të bërë heqjen e emrit të tyre nga regjistri themeltar. ar.ba