E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kombinati në protesta për ujin dhe dritat

Banorët e zonës kanë kërcënuar se në se nuk zgjidhet problemi ata do të arrijnë deri sa të bllokojnë rrugën
TIRANË- Mungesa e theksuar e ujit dhe e dritave kanë bërë që dhjetëra banorë të lagjes "Kombinat" në kryeqytet të protestojnë në sheshin kryesor të zonës. Sipas banorëve, terri në Kombinat ka më se tre vjet që është ulur këmbëkryq edhe pse premtimet e krerëve të KESH-it për heqje të kufizimeve elektrike nuk kanë ndaluar në asnjë çast. Drejtuesi i protestës, Gezim Karanxhi, u ka bërë thirrje qeveritareve të marrin masa për zgjidhjen e kësaj situate ndërsa ka paralajmëruar se në rast të kundërt banorët do të bllokojnë rrugën hyrëse për në lagjen "Kombinat". Protestuesit, kryesisht gra shprehen se "Kombinati" ka më se tre vjet që ka kufizime të mëdha të energjisë elektrike. Ato akuzojnë qeverinë për këtë situate e cila, sipas tyre, e ka lënë pas dore këtë zonë. Dhjetëra banorë të kombinatit kanë protestuar për mungesën e ujit të pijshëm dhe energjisë elektrike. Banorët janë shprehur se do të presin reagimet e qeveritarëve dhe drejtuesve të KESH-it e më pas do të vendosin për mënyrën se si do të vazhdojë kjo protestë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›