E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëhelmohet çifti nga Devolli, vdes gruaja

Kushtet e vështira ekonomike kanë shtyrë çiftin Rusi drejt vetëflijimit duke përdorur pesticidin që spërkat rrushin
Afërdita Rusi, shtatzënë në muajin e 7, ka pirë e para helmin. Pas saj tenton vetëvrasjen i shoqi
DEVOLL- Gjendja e vështirë ekonomike ka shpënë një çift bashkëshortësh në një fshat të Devollit drejt vdekjes, teksa nuk kanë mundur të përballojnë jetën e vështirë dhe të rrisin pa probleme fëmijët e tyre. Në këto kushte çifti i bashkëshortëve ka vendosur t'i japë fund jetës së tyre torturuese duke përdorur një pesticid. Gruaja 34 vjeçare, e cila ishte edhe shtatzënë, ka gjetur vdekjen nga pirja e helmit ndërsa bashkëshorti i saj ka përfunduar në gjendje të rëndë në spitalin e Korçës. Ngjarja e rëndë është regjistruar në fshatin Vishocicë të rrethit të Devollit, ndërsa gruaja shtatzënë në muajin e saj të shtatë nuk ka menduar as për krijesën e saj të katërt që po sillte në jetë, veçse ka vendosur t'i japë fund jetës dhe grindjeve të saj të vazhdueshme me të shoqin e papunë.
Ngjarja
Fshati i vogël Vishocicë, i cili ndodhet vetëm dy kilometra larg qytetit të Bilishtit, është mbështjellë nga shoku i kësaj ngjarjeje të pazakontë, teksa të gjithë shkojnë të ngushëllojnë familjen e viktimës vetëm 34 vjeç. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pasmesnatës të së shtunës duke u gdhirë e diel në familjen Rusi. Afërdita Rusi, 34- vjeçare dhe bashkëshorti i saj 47- vjeçar Guri Rusi ishin në pritje të fëmijës së tyre të kartë, ndërsa nëna ishte në muajin e shtatë të shtatzënisë. Një grindje për motive ekonomike mendohet të jetë shkaku i kësaj ngjarjeje tronditëse e cila ka çuar në aktin vetëflijues të dy bashkëshortëve. Mësohet se burri ka mbërritur vonë në shtëpi, ndërsa menjëherë kanë nisur debatet. Në këtë kohë fëmijët e vegjël, më i madhi i të cilëve është vetëm 12 vjeç, ishin duke fjetur. Gruaja për t'u hakmarrë ndaj jetës së saj të vështirë, por dhe konflikteve të vjetra që kishte me të shoqin, ka vendosur të përdorë si armë vrasëse një pesticid që përdoret për spërkatjen e rrushit të cilin do ta përdorte për hardhitë e rrushit në oborrin e shtëpisë pas pak ditësh. Kështu, pa e bërë të gjatë, në sy të të shoqit, gruaja ka tretur në ujë pesticidin duke e pirë atë në sasi të madhe. Akti vrasës ka tronditur bashkëshortin Guri Rusi, i cili për më tepër ishte dhe shkaku i kësaj tragjedie pasi nuk mund të siguronte të ardhura për të mbajtur familjen e tij që ishte duke u shtuar dhe me një tjetër fëmijë. Në këto kushte dhe burri ka pirë pesticidin që ka shtrirë përtokë gruan e tij, ndonëse në sasi më të vogël se ajo. Kanë qenë fëmijët e çiftit të cilët janë zgjuar nga klithmat e babait të tyre, por edhe të nënës që shkumëzonte përtokë, që kanë vënë alarmin tek të afërmit e tyre. Çifti Rusi është transportuar në orët e para të mëngjesit fillimisht në spitalin e Bilishtit dhe më pas atë të Korçës. Menjëherë mjekët e spitalit të Korçës janë vënë në kushte alarmi për të shpëtuar jetën e dy pacientëve të helmuar, ndërsa kanë konstatuar se nëna shtatzënë kishte vdekur, ndërsa fëmija që kishte në bark kishte vdekur më parë se ajo. Përsa i përket burrit ai është nën vëzhgimin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën.
Hetimet
Nga hetimet paraprake të policisë vendore mësohet se shkaku i vetëhelmimit të çiftit mendohet të jetë gjendja e tyre shumë e vështirë ekonomike. Burri i papunë si dhe vështirësitë për të rritur tre fëmijët e vegjël, ndërsa një tjetër po vinte në jetë kanë shpënë çiftin drejt aktit të vetëflijimit. Familjarët e vajzës duket se kanë qenë shumë të indinjuar me bashkëshortin e saj që nuk ka mundur të ndalë tragjedinë, ndërsa ai vetë gjendet nën vëzhgimin e policisë, pasi akuzohet të ketë shtyrë drejt aktit të vetëhelmimit gruan e tij, pas një konflikti të përsëritur me të. Policia e komisariatit të Devollit është duke vazhduar hetimin për zbardhjen deri në fund të kësaj ngjarjeje tronditëse mes një çifti bashkëshortësh.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›