Komedia Hyjnore e Zija Çelës
Ky roman i Zija çelës është vepra e fundit i atij triptikut, që filloi me “Las Varrezas” dhe vazhdoi me “SOS, një buzëqeshje”. Një lexues i vëmendshëm do ta ndjente ekzistencën e tij që në leximin e dy të parëve, po ashtu siç e ndien një astrolog mungesën e një ylli të pazbuluar ende, thjesht nga tërheqja e forcës së gravitacionit përreth yjeve tashmë të zbuluar.
Të tre romanet kanë pavarësinë si vepra më vete, por ato i ndërlidh atmosfera dhe magjia e njëjtë krijuese, vartësia e të shkruarit nga një autor kokëkrisur që, duke thyer konvencat letrare, ka guximin për t’i thënë gjërat deri në fund. Për të thënë mizerabilitetin e jetës sonë, për të shpartalluar iluzionet e rreme që ne vetë i krijojmë, për të shpallur kotësinë qesharake të ëndrrave e të miteve tona. Në këtë kuptim, romani “Goja e botës” sqaron më tej dy romanet e mëparshme, po aq sa ato këtë të fundit. Ajo që i bashkon nuk është as tema, as karakteret, as gjetjet e jashtëzakonshme: është unikaliteti i autorit të përbashkët. Si të thuash, triptiku përbën “Komedinë Hyjnore” të autorit, veçse “Goja e botës” përmbys rendin: “Ferri” është lënë për t’u shkruar në fund!
#