Çelet në Korçë, Muzeu Natyror i Artit Modern
Tetë skulptura të reja të konceptuara në artin modern do t’i shtohen ansamblit të skulpturave që mbajnë autorësinë e artistëve të huaj. Me Simpoziumin e Tretë të Skulpturës që organizohet në qytetin e Korçës dhe me vendosjen e veprave të reja të artit që po krijohen aktualisht në natyrë, shkon në 24 numri i skulpturave të cilat janë të vendosura në parkun “Rinia” dhe në lulishtet e qytetit të Korçës. Kryetari i Bashkisë së Korçës, Niko Peleshi, ka bërë të ditur se menjëherë pas përfundimit të Simpoziumit të Tretë të Skulpturës në Korçë do të përurohet muzeu natyror i artit modern, ku pjesë e tij do të jenë pikërisht të gjitha skulpturat e këtyre tre edicioneve. Sipas tij, shtimi i numrit të skulpturave nuk përbën asnjë problem për zënien e ambienteve të gjelbëruara të qytetit. Edhe pse bëhet fjalë për një numër të madh skulpturash që kanë tematikë të ndryshme dhe vijnë me stile të larmishme, nisur nga fakti se punohen nga autorë të ndryshëm që sjellin edhe kulturën e vendeve të tyre, kryetari i bashkisë thotë se që në fillim të projektit për këtë simpozium ndërkombëtar, është planifikuar që skulpturat të vendosen në natyrë.
#