E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gurët flasin gjuhën e Helonës

Një koleksion bizhush që mban titullin "The Living Road" ose rrugëtimi që nuk ka fund, siç ka dëshirë ta thotë shqip autorja Helona Ruli, prezantohet sonte, ora 20.00 në Galerinë "Zenit".


Dy vjet punë për përgatitjen e koleksionit me 26 punë ku dallohen bizhu të trajtuar me një teknikë të veçantë dhe gurë gjysmë të çmuar punuar në akrilik dhe kanavacë. Secila pjesë e koleksionit prezantohet mbi një leggio, një objekt me të cilin Helona ka qenë e lidhur dikur. Ajo ka studiuar muzikë dikur.


Stolitë shoqërohen me foto të realizuara nga fotografi Albes Fusha. Aty duket Helona me gjoksin e zënë nga gurët e dizajnuar me duart e saja. Portreti i saj, ose më saktë trishtimi i saj, është i ndryshëm nga një foto në tjetrën.

Lidhjet e ngushta me muzikën Helona i tregon edhe te nënshkrimi që iu bën fotove: Allegrissimo, allargando, andantino ingenuo etj. Kur ajo i komenton si "përjetime nën efektin e dhembjes, zhgënjimit, tensionit të jetës urbane".


Është një koleksion që nuk të lë indiferent. Është ndër të tjera një homazh për një kohë të shkuar dhe për hijeshinë e rafinuar. Në modelimin e tyre është shkrirë bashkëkohorja dhe etnosi.


Artistja të fton të zbulosh "një botë jetësore dhe plot energji. Bizhuteritë bartin kujtime dhe flasin me nostalgji një gjuhë të harruar". Ekspozita shoqërohet me një performancë muzikore.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›