E Diel, 1 Nëntor 2026

Zija Çela: Identiteti kulturor do të vazhdojë të ruhet dhe në rrugët globale

Shkrimtari flet mbi veprën e tij të fundit Goja e Botës dhe për zhvillimin e letërsisë shqipe

Vetëm një vit nga botimi i romanit Sos, një buzëqeshje shkrimtari i njohur Zija Çela i dhuron lexuesit romanin e tij të ri Goja e Botës. Romani i tij më i ri mbërrin si kurorëzimi i një trioje romanesh. Shkrimtari, i cili ka qenë vitet e fundit,

mjaft aktiv në letërsinë e sotme shqipe ka promovuar kështu këtë botim, i cili është konsideruar si i fundit i një triptiku që nisi me Las Varrezas, për të cilin u fol gjatë e u vlerësua edhe me çmime. Promovimi i librit u bë dje në sallën Çehov të Teatrit të Metropolit ku dhe përurimi ishte konceptuar si një dialog me poetin e njohur Arian Leka me autorin. Goja e botës, Las Varrezas dhe Sos, një buzëqeshje, të tre romanet kanë pavarësinë si vepra më vete, por ato i ndërlidh atmosfera dhe magjia e njëjtë krijuese, vartësia e të shkruarit nga një autor, që duke thyer konvencat letrare, ka guximin për ti thënë gjërat deri në fund. Tejkalimi i murit të përjetshëm të njeriut modern në roman, murit të komunikimit mese njerëzve, vlerësohet nga shkrimtari suksesshëm Zija Çela, si më i rëndësishmi edhe sesa muret e shteteve apo kapërcimit të murit të ambasadave të 2 korrikut. Risia qëndron në formën e zgjedhur stilistike, pra duket sikur romani nis nga prekja e parë e lexuesit me të. Ngjarjet e romanit autori i ka vendosur në skenë, i frymëzuar nga Hamleti. Shkrimtari na sjell një roman për komunikimin njerëzor, për komunikimin pa kufij të zemrave. Mbas 20 vjetësh unë mendoj që jo muret tona, po njerëzimi ka një mur të përjetshëm, një mur i cili herë shembet e herë rindërtohet. Është një mur që të gjithë ne e provojmë, dhe ky mur është kurrizi i njeriut, sa herë që dy njerëz ia kthejnë shpinën njëri-tjetrit, pohon shkrimtari Zija Çela. Në këtë promovim të romanit të tij më të fundit, autori Çela e konsideron veten një shkrimtar realist që shkruan për realitetin absurd edhe pse shprehet se nuk është kundër letërsisë rozë apo të ashtuquajturës letërsia e rërës, plazheve. Emri i njohur i letërsisë shqipe thotë se: kur lexoj i hap krahët të gjithëve, kur shkruaj iu kthej shpinën të gjithëve, sepse shkruaj që të zbuloj vetveten. Ndërsa autori ndalet kështu në procesin e krijimit të tij, kritika letrare e ka cilësuar romanin e tij më të ri Goja e Botës si të fundit të një triptiku, që nis me Las Varrezas dhe me Sos, një buzëqeshje. Deduksione mbi këtë moment artistik në krijimtarinë e shkrimtarit të njohur Çela mbërrijnë nga studiuesit dhe miqtë e letrave shqipe, Mehmet Kraja dhe Rudolf Marku duke e cilësuar romanin emblematik Goja e Botës si Komedia Hyjnore e veprës së autorit që përjetoi me dinjitet e pjellori krijuese të dy sistemet e vlerave. Për Goja e Botës shkrimtari i njohur Mehmet Kraja pohon: Jam mrekulluar, jo vetëm me gjetjen, por edhe me mënyrën se si autori e ka gërshetuar në një tërësi kompozicionale narracionin romanor me elementet e dramës. Autori ka shpalosur edhe detaje nga subjekti i romanit të tij. Fifara është projeksion i një Shqipërie, i një Kosove, i shumë qyteteve të ngjashme në botë, sepse ngjashmëritë ndoshta gjenden ngado. Romani Goja e Botës është një botim i shtëpisë botuese Toena dhe sipas botueses, znj. Irena Toçi, romani që është pjesa e fundit e trilogjisë së romaneve më të fundit të Çelës, ajo që i bashkon këto vepra nuk është as tema, as karakteret, as gjetjet e jashtëzakonshme, por është unikaliteti i autorit të përbashkët. Në këtë intervistë dhënë për gazetën SOT shkrimtari Zija Çela në botëkuptimin e tij kreativ shprehet se ngre nga e para një qytet me qindra personazhe dhe se përpiqet t'i ofrojë lexuesit vizionin për njerëzimin. Goja e Botës u promovua me herët edhe në Prishtine, ndërkohë që shkrimtari Çela konsiderohet ndër më të lexuarit mes shqiptarëve të Kosovës.

-A nuk do të ishte më udhës të kishim një vepër të Becket dhe jo një Hamlet?
Goja e botës që në faqen e parë fillon në skenë dhe gjithë romani kështu do të zhvillohet në skenë. Pas 8 vitesh i vetmi aktorë profesionist, i cili ka guxuar të shkojë nga kryeqyteti në Fifarë, me shpresën se do tia jepnin menjëherë Hamletin më në fund ia japin atë rol. Fifara është një qytet me 4700 banorë në malet përtej Dajtit, një regjisor i çmendur duke parë që jeta ishte banale ishte e mërzitshme, vendosi ta fisnikërojë atë qytet. Mori një vepër ku kishte princ, mbretër, dhe çdo vit jepeshin 4-5 shfaqje në teatrin veror. Asnjeri nuk e luante rolin deri në fund, kur mbaronte akti dytë dhe Hamletin e luante dikush tjetër në mënyrë që të fisnikëroheshin të gjithë. Ulërima e këtij qyteti është që të komunikonte me botën, në këtë komunikim vjen dhe titulli i romani. Por çështë Fifara? Matanë malit mendohej që është një qytet tjetër që nuk komunikojnë, ato që jetojnë lindjen kur frynte era. Lindja merrte vesh çpo ndodhte në perëndim, dhe anasjelltas. Të ndarë kështu na kujtohet bota në të cilin jemi sot. Pas 20 vjetësh unë mendoj që jo muret tona, por njerëzimi ka një mur të përjetshëm që është kurrizi i njeriut sa herë që dy njerëz i kthejnë shpinën njëri-tjetrit ato kanë ngritur në mes një mur. Ndërpritet komunikimi, dashuria, marrëdhëniet. Kështu ishin ndërprerë marrëdhëniet mes dy Fifarave, por meqenëse nevoja e komunikimit është e madhe atëherë në çastin që zemra e njeriu bëhet gur, atëherë guri bëhet zemër.

-Pse Hamleti?
Unë kam qenë dhe mbetem një shkrimtar realist. Unë jam shkrimtar që shkruaj për realitetin absurd dhe kjo më bën që të zgjedh një vepër klasike dhe gjithëpërfshirëse siç është Hamleti . Ka ndodhur një vdekje Jul Jusi Hamlet është përdhe, njerëzit janë të detyruar të rrëfehen për të shpëtuar veten, por aty është dhe një hoxhë dhe një prift, nëse Las Varrezas flet për mekanizmin e vdekjes, Sos një buzëqeshje flet për dlirësimin e shpirtit.

-Goja e Botës, quhet dhe romani i pafajësisë, mos do ti çlirojë njerëzit nga ndjenja e fajit?
Personazhet që janë klerikë, janë aktorë lozin në skenë por e bëjnë me rrallë. Në këtë roman janë160 personazhe të listuar dhe prania e priftit dhe hoxhës nuk është se ata janë aktorë, por kanë një marrëdhënie që e tejkalon rolin e tyre. Nuk është e rëndësishme që njeriu të besoj të zoti, por njeriu duhet të besoj edhe tek teknika dhe shkenca, por dhe tek teknika që përdor zoti. Unë jam përpjekur të vej rregull dhe gjithashtu edhe rregulli është në kaos.

-Ky roman përmbyll një tritiptik, ndërkohë ku e vendosni ju Gojën e Botës?
Pavarësisht se këto janë romane që kanë një pavarësi të plotë, nga ana tjetër është një botë e tërë që i rrethon, por unë dua të kthehem tek Mali i Tejdukshëm, që kam vazhduar të bëj të njëjtën gjë. Unë në çdo roman krijoj një qytet nga e para, bëj urbanistikën e tij dhe në frymën e përgjithshme të gjitha këto krijojnë një ansambël romanësh. Unë nuk mund të them se kam qenë me vetëdije të plotë, por instikti të çon në një rrugë që nuk dihet se ku do shkojë. Unë nuk mendoj që ky është një triptik i mbyllur, përsa kohë që do të shkruaj, e mbyllur do të quhet kur të shkruhet romani im i fundit.

-E ndërkohë, cila është e veçanta në këtë roman krahasuar me veprat e tjera të tuat?
Romani Goja e Botës ka dimension më të madh në krahasim me Las Varrezas dhe Sos një buzëqeshje dhe është fjala për volumin, por kam përshtypjen se edhe Las Varrezas dhe Sos një buzëqeshje kanë në brendësi të tyre një gjetje universale, e cila nuk i drejtohet thjesht një njeriu apo një qyteti, por i drejtohet një vendi, i drejtohet disa vendeve në kuptimin e komunikimit, jo midis dy njerëzve, por të njerëzimit në përgjithësi.

-Thatë që ju shkruani për realitetin absurd?
Po, dhe në kuptimin se pothuajse i gjithë njerëzimi jeton në një realitet absurd dhe prandaj bëra dhe dallimin ndryshe nga Becket, i cili shkroi për të krijuar artin absurd. Unë jam një shkrimtar realist dhe i drejtohem një realiteti absurd, por ka një dallim sepse unë nuk shkruaj për realitetin ku jemi ne, por unë shkruaj për një realitet të ngjashëm si ne dhe ia propozoj lexuesit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›