E Diel, 1 Nëntor 2026

Vëzhgimi/ “RE: FRESSH” ose bashkimi “Rama – Erion”

15-01-2012 / Gazeta 55

RE: Rama-Erion. Kjo është domethënia e dy germave parashtesë (RE), në inicialet e Forumit Rinor Euro-Socialist i Shqipërisë. Slogani me gjasë rifreskimin e strukturës rinore të Partisë Socialiste, “RE: FRESSH”, shfaqi habi nga mënyra se si deformoheshin inicialet që përbëjnë historinë e FRESSH-it ndër vite. “RE: FRESSH”, nuk është thjesht një slogan, por shumë më tepër se kaq.
Nuk është as pjesa kuptimore e rifreskimit të strukturave.
Në thelb, është pagëzuar binomi i ri që ka marrë në dorë FRESSH-in e socialistëve dhe janë dy bashkëjetuesit Rama-Erion (Veliaj, jo Braçe, pasi ky i fundit prej kohësh nuk është më pjesë e preferencave të lidershipit socialist), që 7 vjet më parë luftuan Partinë Socialiste në pushtet, duke shkuar deri te kërkesat ekstremiste, për largimin e detyrueshëm të qeverisë “Nano”. Protestat organizoheshin nga lëvizja “Mjaft”, e cila drejtohej nga Erion Veliaj, sot sekretar për Rininë në Partinë Socialiste dhe krahu i djathtë i lidershipit të selisë rozë. Pas Mjaft-it qëndronte Edi Rama, i cili suportonte financiarisht me lekët e bashkisë, aksionet e Erion Veliajt për rrëzimin e qeverisë së Nanos, me qëllimin agravimin e situatës, mundësisht në kolaps kombëtar.
Objektivat ishin të qarta, Rama dhe Erioni (Veliaj) si përfitues direkt apo indirekt të fondeve të ndryshme, por edhe të taksave të qytetarëve të Tiranës, ia arrinin të lobonin fuqishëm politikisht, për fraksionin që ishte në lindje e sipër. Dhe si papritur, Rama dhe Erioni shfaqen sërish (RE: FRESSH), 7 vjet pasi luftuan kundër Partisë Socialiste në pushtet...dhe paturpësisht gënjejnë dhe mashtrojnë qindra e mijëra socialistë të thjeshtë, se reformimi i FRESSH është shëmbëlltyrë e hapjes dhe demokratizimit të PS, me qëllimin ardhjen në pushtet në 2013-ën.
A besohet kjo?
Sigurisht që jo, sepse precedenti i R-së dhe E-së, është i tillë që i bën jo vetëm të pabesueshëm, por njëherazi i kthen në anën e pushtuesve, mashtruesve ordinerë dhe grabitqarëve të interesave të socialistëve të thjeshtë. Me apo pa freskimin e strukturave të FRESSH bashkëjetesa e R-së dhe E-së (Rama-Erion), në dëm të Partisë Socialiste do vazhdojë.
Sot është 20 vjetori i krijimit të Forumit dhe Rama dorazi me Erionin e Mjaft-it do premtojnë se reformimi dhe demokratizimi garantojnë kthimin e socialistëve në pushtet. Sidoqoftë, këtyre dy ekstremistëve s’do iu hiqet nga mendja barra e madhe e fajit gjatë “luftës” kundër PS dhe liderit të saj historik, Fatos Nano 7 vjet më parë...

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›