E Diel, 1 Nëntor 2026

Komente pozitive nga Eurosongu: Shqipëria,një këngë të fuqishme



Alma Mile

Deri sa prezantuesja zgjodhi zarfin me emrin “Albania”, miliona zemra rrihnin ankthshëm. Të gjithë ishin të bindur se ajo do të hynte në finale, por ja që nuk po hapej zarfi i duhur. Dhe më në fund i nënti mbante brenda lajmin e mirë. Kënga shqiptare hyri në finalen e Festivalit Evropian. Energjike, me zërin që nuk i dridhej aspak nga emocioni, shoqëruar nga një treshe e mrekullueshme back-vokalesh dhe nga violinisti Olen çezari, për të cilin çdo vlerësim do të dukej i shpëlarë, Juliana Pasha ofroi një performancë shumë të mirë në skenën e ngritur në stadiumin norvegjez “Telenor Arena”. Qysh para fillimit të natës finale, kënga shqiptare “Nuk mundem pa ty” (“It’s all about you”), një kompozim i Ardit Gjebresë, tekst të Pirro çakos dhe Ardit Gjebresë, e orkestracion të Shpëtim Saraçit, diskutohej si një nga këngët më pretendente për natën finale. Dhe në të vërtetë mes 17 këngëve konkurruese në natën e parë gjysmëfinale, kënga shqiptare, ishte ndër më të realizuarat, si nga ana interpretuese, ashtu edhe skenike. (Duhet kujtuar që zgjedhja e zarfeve me emrat e finalistëve u bë në mënyrë rastësore dhe jo sipas renditjes së pikëve, çka do të thotë që Shqipëria nuk ishte në vendin e parafundit). Pa butaforia e elementë të tepërt, siç ndodhi me konkurrentë të tjerë, ku nuk munguan krahët e fluturave, apo të engjëjve, me pupla e pa pupla, Juliana Pasha, arriti të bëjë për vete publikun Oslos, të cilët nuk ia kursyen duartrokitjet. Veç vokalit të fuqishëm të Julianës, janë vlerësuar edhe shoqërueset amerikane dhe në veçanti violinisti Olen çezari, të cilit i mjaftojnë qoftë edhe pak sekonda për të treguar virtuozitetin dhe karakterin e tij shpërthyes. “Tri vajzat shoqëruese dhe violinisti energjik e ndihmuan atë të realizonte një performancë të fortë të këngës. Janë të shumtë ata që e konsiderojnë Shqipërinë si një të kualifikuar të sigurt në finale”, shkruhej në faqen më të madhe jozyrtare të Festivalit Evropian, esctoday.com, pak përpara natës së parë gjysmëfinale. Një tjetër websit, që ndjek për vit dhe komenton këngët e festivalit, është edhe “oikotimes.com”. Ndonëse shprehen ca vërejtje për veshjen e Julianës, performanca e saj vlerësohet pozitivisht. “Një këngë tradicionale pop, që të bën të ngrihesh në këmbë. Tërësisht ndryshe nga ç’kemi parë deri më tani, por siç e kam thënë edhe më parë, a i pëlqen njerëzve e ndryshmja? Zërat janë thjesht të bukur dhe performanca pa të metë, edhe pse Juliana nuk lëvizi shumë nga vendi”. Mbrëmjen e së martës, Juliana këndoi e 12-a, e veshur me një kostum të zi, të stiluar nga Joni Peçi, me elementë të argjendtë, duke iu afruar disi kostumeve tradicionale shqiptare. Juliana dukej komode në atë veshje, që i përshtatej karakterit të saj, por edhe këngës. “Tingëllon bukur dhe Juliana dha një performacë të fortë, duke i dhënë Shqipërisë një shans për t’u përfaqësuar në finale”, shkruhej në “eurovisionary.com”. Pas shpalljes së dhjetë finalistëve të parë, u zhvillua një konferencë shtypi me fituesit. Juliana Pasha iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve, duke u shprehur shumë e kënaqur. “Ky ishte momenti më i bukur i jetës sime”, tha ajo, duke shtuar se kjo eksperiencë në Oslo i ka dhënë shumë dhe se organizatorët kanë bërë më të mirën që gjithçka të shkojë më së miri. “është e mrekullueshme. Publiku më dhuroi shumë energji. Ishte kaq ndryshe nga provat. Do të doja të falënderoja këdo që ka votuar që Shqipëria të shkojë në finale. Ne jemi një vend i vogël dhe kjo është shumë e rëndësishme për ne. Dua të ndaj kulturën dhe zemrën me të gjithë Evropën. Pashë kaq shumë shqiptarë mes publikut sonte dhe ishte e mrekullueshme”, tha këngëtarja.
Sot në mbrëmje do të zhvillohet nata e dytë gjysmëfinale, ku do të konkurrojnë 17 vende të tjera pjesëmarrëse e nga do të dalin 10 finalistë të tjerë. Këtyre 20 finalistëve do t’u shtohen 4 vendet që sponsorizojnë Eurosongun e që futen çdo vit direkt në finale (Anglia, Franca, Gjermani dhe Spanja), si dhe Norvegjia, e cila fitoi të drejtën e finales, duke qenë se një vit më parë u shpall fituese e Festivalit Evropian. Formula e votimit këtë vit ka ndryshuar. Televotimi popullor ka vetëm 50% të vlerës dhe 50% është e drejta e jurisë profesioniste, e përbërë nga 5 anëtarë, ish-pjesëmarrës në “Eurosong”.

Histori pjesëmarrjesh

Shqipërisë nuk i është ndarë vendi i 17-të. Veç Anjeza Shahinit, e cila konkurroi e para dhe arriti renditjen më të mirë, në vendin e shtatë, më tej, vendi më i lartë ku jemi ngjitur, ka qenë ai i 15-i. Tri herët e fundit kemi mbetur në të 17-in. Më poshtë një histori e shkurtër pjesëmarrësish dhe rezultatesh:

2004 “Imazhi yt”, Anjeza Shahini, E. Zhulali-A. Doçi, vendi i 7-të
2005 “Nesër shkoj”, Ledina çelo, A. Hila-P. Laço, vendi i 16-të
2006 “Zjarr e ftohtë”, Luiz Ejlli, K. Qafoku-Dr. Flori, vendi i 15-të
2007 “Balada e gurit”, Frederik Ndoci, A. Hila-P. Laço, vendi i 17-të
2008 “Zemrën e lamë peng”, Olta Boka, A. Hila-P. Laço, vendi i 17-të
2009 “Më merr në ëndërr”, Kejsi Tola, E. Zhulali-A. Doçi, vendi i 17-të

Juliana këndon e 15-a në finale
Menjëherë pas shpalljes së 10 finalistëve të parë, u zhvillua një konferencë shtypi. Finalistët e Festivalit Evropian iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve për pjesëmarrjen, por gjithashtu u hodh edhe shorti për renditjen në natën finale. Duke shpresuar të mos zgjidhte numrin 1, apo 3, Juliana Pasha zgjodhi numrin 15-ë, me shpresë që të jetë një numër fati.

Caktohen datat për Eurosong 2011
Vitin që vjen Festivali Evropian mund të zhvillohet mes datave 17, 19, 21 maj 2011. Organizatorët e festivalit zhvilluan dje një konferencë shtypi, ku raportuan për mbarëvajtjen e natës së parë dhe ca të dhëna për edicionin e ardhshëm. Sipas tyre, gjithçka shkoi më së miri me votimin, përveç një vendi, të cilit iu quajt vetëm votimi i jurisë dhe nuk u mor parasysh ai i publikut, pasi “nuk ishte menaxhuar në kushtet e duhura të sigurisë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›