Kurbin, babë e bir peng nipin për pronat e borxhet
KURBIN/ ROLAND NIKOLLI
Babë e bir marrin peng nipin, pas konflikteve të vazhdueshme për pronën ku ata kishin ndërtuar banesat e tyre. Komisariatet e pesë rretheve janë ngritur në këmbë, pas alarmit të dhënë për pengmarrjen e 34- vjeçarit, Ndoc Ndoj, nga Mamurrasi. Daja i tij, Mark Nikolli dhe i biri, Valmir Nikolli, kanë rrëmbyer me pistoletë në kokë pengun e tyre. Ngjarja ndodhi mbrëmë rreth orës 19:30. Babë e bir shkuan në një pikë mermeri që ndodhet në dalje të Mamurrasit për në autostradë, ku Ndoji punonte si roje. Aty ata kanë debatuar dhe më pas, me pistoletë në kokë, e kanë detyruar Ndojin të ngjitet në makinën e tyre tip benz, me targa të Pukës. Një koleg i 34- vjeçarit njoftoi policinë për ngjarjen. Kjo e fundit u vu në ndjekje të automjetit, por lokalizimi i vendndodhjes së pengmarrësve, si dhe lirimi i pengut u bë në orët e vona të mbrëmjes. Policia ndërkohë kishte sinjalizuar komisariatet e Mirditës, Pukës, Lezhës, Matit dhe Kurbinit, të cilët vunë postblloqe të shumta dhe nisën hetimin për arrestimin e tyre. Dyshohet se autorët kanë ndjekur rrugët dytësore, duke anashkaluar atë nacionale, me qëllim për t'u shpëtuar postblloqeve. Rreth orës 21:30, blutë kanë arritur të kontaktojnë nëpërmjet telefonit me pengmarrësin, por ai nuk pranoi të negociojë e të dorëzohet, duke u shprehur se "do ta zgjidh vetë çështjen me familjarët e mi". Policia nisi punën me metoda të tjera më të specializuara, me qëllim lokalizimin e mjetit bashkë me pengun, nga valët celulare. Më pas u konstatua se ata ndodheshin diku në zonat rurale, po të Mamurrasit. Blutë arritën t'i arrestonin pengmarrësit rreth orës 23:00, rreth 4 km larg vendit të ngjarjes. Ata u prangosën pa rezistencë, ndërsa pengu sipas policisë nuk kishte pësuar dëmtime. Në mjetin e tyre u gjet një pistoletë, disa granata dhe fishekë. Sipas policisë, Mark Nikolli, 54 vjeç dhe pengu i tij, Ndoc Ndoj me origjinë nga Puka, ishin shpërngulur në fshatin Gjormë që në vitet e para të demokracisë. 10 vjet më parë, Nikolli dhe Ndoj kishin emigruar sëbashku në Greqi. Aty nipi i kishte huazuar dajës së tij një shumë parash për blerjen e 4 dylymë tokë, para të cilat ende nuk i janë kthyer. Këtë pronë e zotërojnë edhe sot dhe kanë ndërtuar edhe shtëpitë, por e gjithë toka rezulton në emër të Mark Nikollit. Të njëjtat burime bënë të ditur se prona ishte blerë me mirëkuptimin e palëve për ta ndarë atë në gjysmë. Duke qenë se gjatë këtyre viteve, Mark Nikolli nuk kishte pasur mundësi për ta shfrytëzuar, tokën e kishte marrë në përdorim nipi i tij, i cili në mirëbesim nuk i kishte kërkuar gjatë këtyre viteve, që pjesën e tij të tokës ta regjistronte në emrin e tij. Një muaj më parë, dy familjet janë konfliktuar, aq sa përfunduan si të shoqëruar në polici. Kjo pasi Valter Nikolli, 27 vjeç i kishte kërkuar të atit t'i merrte Ndoc Ndojit paratë e tokës që ai kishte pasur në përdorim. "Nuk do të lëshojmë deri sa të na japësh lekët e përdorimit të tokës", mësohet ta kenë kërcënuar babë e bir 34- vjeçarin para se ta merrnin peng, ndonëse ata i kishin atij një shumë të konsiderueshme parash pa i kthyer. Sipas burimeve, një muaj më parë, policia i kishte shoqëruar dhe iu kishte sugjeruar palëve ta zgjidhnin konfliktin në gjykatë. Pasi janë pajtuar në polici, ata ishin shprehur se nuk kishin besim te drejtësia, ndaj do ta zgjidhnin vetë këtë konflikt. Dyshohet se Mark Nikolli, në momentin e konsumimit të veprës penale të pengmarrjes të ketë qenë edhe i dehur.