E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërcënohet drejtori i Aluiznit të Tiranës



TIRANE - Drejtori i Agjencisë së Legalizimeve të Tiranës, Agron Berisha ka depozituar dje një kallëzim në Komisariatin nr.4, me pretendimin se është kërcënuar për shkak të detyrës. Ai ka denoncuar një letër kërcënuese të futur poshtë derës, në banesën e tij private tek rruga “Tahsim Shehu”, pranë Shkollës së Bashkuar në kryeqytet. Në kallëzim thuhet se ngjarja ka alarmuar familjen Berisha, duke i detyruar që t’i drejtohen policisë. Por kërcënimi është bërë edhe më i besueshëm, pasi drejtori i Aluiznit, Agron Berisha, ka dalë nga shtëpia për të kryer denoncimin në komisariat. Në oborrin e banesës së tij, ka parë që xhami i përparmë i makinës tip “Ford”, që e kishte parkuar aty, ishte thyer dhe në kofanon e makinës ka gjetur një tullë, që sipas tij është përdorur për të thyer xhamin. Burime nga policia thanë se ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:00 pas mesnate dhe policia ka nisur verifikimin e provave të gjetura në vendin e ngjarjes. Dyshimet e para të grupit hetimor flasin për një kërcënim për shkak të detyrës, duke qenë se Agron Berisha ka funksionin e drejtorit të Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave e Ndërtimeve Informale, dega Tiranë. Por edhe sipas tekstit të letrës së futur poshtë derës, sipas policisë kërcënimi i personave ende të panjohur, lidhet me detyrën e Berishës. “Do e paguash shtrenjtë atë që ke bërë...”, janë disa nga fjalët e shkruara në letrën kërcënuese. Burime nga grupi hetimor thanë se gjatë deklarimeve që Berisha ka bërë në polici, ka shpjeguar se nuk ka dijeni se kush mund ta ketë kryer këtë veprim, për vetë faktin se ai nuk ka asnjë mosmarrëveshje me ndonjë person të caktuar. Policia ka referuar materialet në Prokurori, me akuzën e “kanosjes për shkak të detyrës”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›