Tentoi vetëvrasjen në pallat,mjekët: Amerikania e sëmurë
Etleva Delia
Amerikania 34-vjeçare, e cila tentoi vetëvrasjen dy ditë më parë, duke alarmuar Policinë e Tiranës, dyshohet se vuan nga sëmundje psikike. Ky është rezultati paraprak i hetimit të mjekëve, të cilët kanë kryer ekspertimin psikiatro-ligjor dhe kanë vendosur që për disa javë shtetasja amerikane të qëndrojë e shtruar në Spitalin Nr.5. Sara Smith, shtetasja amerikane e cila pak minuta para mesnatës, duke gdhirë dita e mërkurë, tentoi të hidhej nga ballkoni i katit të pestë tek 9-katëshet, ka tentuar edhe 4 herë të tjera të kryejë vetëvrasje. Dyshimet e para rreth veprimit të saj, paraprakisht lidhen me sketin fetar, ku ajo merrte pjesë dhe predikonte prej muajsh në Tiranë. Policia megjithatë nuk përjashton faktin që amerikania Smith të ketë kaluar një krizë nervore para se të tentonte vetëvrasjen duke u hedhur nga pallati. Policia e argumenton këtë dyshim me faktin se gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e saj tek një nga pallatet “9-Katëshe”, në Tiranë, shtëpia ishte kthyer përmbys dhe shumë orendi ishin thyer nga vetë ajo. Efektivat e Komisariatit nr.4 sekuestruan në shtëpinë ku ajo jetonte me qera prej 5 muajsh, edhe disa libra me përmbajtje fetare dhe objekte tek të cilat besonte, që lidhen me sektin fetar ku merrte pjesë Sara Smith.
Tentativa e vetëvrasjes
Rreth orës 23:30 të ditës së martë, një grua e moshuar ka telefonuar në sallën operative të Policisë së Tiranës, duke lajmëruar se një vajzë e huaj, të cilës i kishte dhënë me qera apartamentin tek “9-Katëshet”, kishte hipur në ballkon dhe po tentonte të hidhej. Menjëherë drejt vendit të ngjarjes, pranë “Rrugës së Dibrës”, janë nisur shërbimet e policisë, zjarrfikëset, një ambulancë, madje është kërkuar edhe ndërhyrja e negociatorëve të RENEA-s. Fillimisht duke i bërë thirrje nga poshtë ballkonit, e më pas nga një ballkon paralel me apartamentin e saj, oficerët e RENEA-s nuk kanë arritur të bindnin vajzën 34-vjeçare, që të zbriste dhe të futej në apartament. Sipas policisë, gjatë kërcënimeve se do të hidhej nga ballkoni, amerikanja Sara Smith, mbante në duar një libër fetar dhe një gur, që sipas policisë mund të ishte një objekt i shenjtë sipas sektit ku ajo aderonte prej muajsh. Shtetasja amerikane, për disa minuta ka vazhduar të qëndrojë në parmakun e ballkonit në katin e pestë, derisa oficerët e RENEA-s kanë arritur të futen me litar në shtëpinë e saj dhe kanë shmangur vetëvrasjen duke ndaluar veprimet e 34-vjeçares të cilën e kanë futur në banesë dhe më pas e kanë dërguar në spital. Menjëherë pas ngjarjes, Sara Smith është dërguar në Spitalin nr.5 tek QSUT, ku dje i është nënshtruar ekspertimit psiokiatro-ligjor nga mjekët e fushës.