Shpallen sot artistët më të mirë “Kult”
Plot 13 çmime për artistët më të mirë të vitit. Sot në mbrëmje, Akademia “Kult” organizon edicionin e gjashtë të çmimeve “Kult 2010”. Pas një përgatitjeje tremujore nga juritë e ngritura, për çdo kategori, u arrit në përzgjedhjen e më të mirëve, që do të shpallen në një mbrëmje gala. Janë 44 artistë kandidatë, 4 për çdo kategori, që janë në garë për punën e një viti më parë. Edhe për këtë vit do të kemi aktorin, apo aktoren më të mirë, regjisorin, instrumentistin, piktorin, më të mirë, etj. Listat e artistëve që kanë filluar garën për vitin 2009 ka nisur me: 51 interpretues lirikë, 42 instrumentistë, 74 artistë pamorë, 28 skenografë, 44 shfaqje teatrale, 36 regjisorë, 183 libra studimorë, 151 libra artistikë, 170 përkthime, 110 albume muzikore. Përveç vendimit të jurisë, votimi për artistin më të mirë bëhet nëpërmjet faqes së internetit www.akademiakult.com, si dhe mesazheve në numrin e telefonit 1513. Automatikisht vota do të regjistrohet dhe kalon në favor të artistit-kandidat për çmimet “Kult 2010”. çmimet “Kult” janë edhe një pasqyrë e jetës artistike 1-vjeçare shqiptare. Përmes kategorive përkatëse bëhet një rikujtesë e ngjarjeve më të rëndësishme, që kanë gjallëruar jetën e kryeqytetit e më pak në rrethe, na rikujtohen artistët më të spikatur, por mund të shohim edhe pikat e dobëta. Përmes kategorive munguese, kuptojmë se çfarë fushe është paraqitur më dobët. Këtë e tregojnë gjithashtu edhe kandidatët përkatës në fusha të caktuara, ku paraqiten ose pak a shumë të njëjtët emra, që kanë garuar edhe vitet e mëparshme, ose ngjarje kulturore, pa ndonjë peshë të madhe.