Presidenca e BE: Shqiptarët të marrin kartat e identitetit, zgjedhjet të mbahen në një klimë paqësore
Presidenca e Bashkimit Evropian ka bërë sot reagimin e saj të fundit, përpara mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, duke i inkurajuar të gjitha palët për paqtimin e situatës dhe për pajisjen e tyre me kartat e identitetit. “Zgjedhjet e 28 qershorit do të jenë një test i rëndësishëm për maturinë e demokracisë në Shqipëri dhe do të përshpejtojnë mbylljen e procesit të integrimit të vendit në BE. Shpresojmë, dhe është në interes të Shqipërisë, thuhet në deklaratën e posaçme të presidencës së Bashkimit Evropian, që zgjedhjet të mbahen në një klimë paqësore dhe që ato të vlerësohen se përmbushin standardet ndërkombëtare. Presidenca e BE nxit qeverinë e Shqipërisë dhe partitë politike të punojnë së bashku në mënyrë që zgjedhjet të mbahen në një klimë paqësore dhe që shtetasit që duan të shprehin vullnetin e tyre këtë ditë, të kenë mundësi ta bëjnë atë. Në inkurajojmë qytetarët shqiptarë që dëshirojnë të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike të votimit në këto zgjedhje që të pajisen me kartat e identitetit, në mënyrë që të kenë mundësi ta ushtrojnë këtë të drejtë, përfundon deklarata e presidencës së Bashkimit Evropian.
...