E Diel, 1 Nëntor 2026

PD: Investimet të mëtejshme në Orikum për ta kthyer në hapësirë të mëteshme të turzimit elitar

Kandidatët për deputetë të Partisë Demokratike për Qarkun e Vlorës, Astrit Patozi e Ardian Kollozi, premtuan sot vazhdimin e investimeve edhe në mandatin e ardhshëm qeverisës në fshatrat Dukat e Rradhimë, në bashkinë e Orikumit, 20 km në jug të qytetit të Vlorës, gjatë takimeve që zhvilluan me banorë të këtyre zonave. Nënkryetari i Partisë Demokratike, Astrit Patozi dhe kryetari lokal i kësaj force politike, Ardian Kollozi, sollën në vëmendjen e të pranishmëve investimet e kryera në këtë zonë gjatë katër viteve të fundit, ku janë konkretizuar projekte me një vlerë prej rreth 6 milionë USD, të financuara nga qeveria. Ata kanë ndjekur nga afër edhe ecurinë e punimeve për zbatimin e projektit të shëtitores bregdetare të fshatit Rradhimë, një investim i qeverisë me një vlerë prej 43 milionë lekësh. Kjo shëtitore, sipas kandidatëve demokratë, përbën një argument domethënës për vëmendjen e qeverisë në zhvillimin e kësaj zone turistike, e cila do të vazhdojë të jetë në qendër të investimeve edhe për katër vitet që vijnë. “Hartimi e miratimi pak kohë më parë nga KRRTRSH i masterplanit të zhvillimit të zonës Rradhimë-Orikum, do ta shndërrojë këtë pjesë të bregdetit në një hapësirë të turizmit elitar në vend”, theksoi  zoti Patozi. Sipas tij, transformimi që ka përjetuar Orikumi, si dhe fshatrat e tij, Dukat e Rradhimë, në këto vjet të qeverisjes së Partisë Demokratike, dëshmojnë gjithashtu mbajtjen e premtimeve të bëra nga ana e maxhorancës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›