E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha gjatë inaugurimit në Hanin e Hotit: Do të realizojmë çdo projekt që i jep Shkodrës fytyrën europiane


Kryeministri Berisha merr pjesë në inaugurimin e rrugës Shkodër-Hani i Hotit


Sali Berisha siguroi se "Qeveria është e gatshme të realizojë çdo projekt që i jep Shkodrës, fytyrën europiane". Sipas zyrës së shtypit pranë kryeministrisë, gjatë vizitës në Shkodër, Kryeministri Berisha mori pjesë në inaugurimin e rrugës Shkodër-Hani i Hotit, një segment me gjatësi 40 kilometra dhe gjerësi 10.5 metra, i cili është financim i qeverisë italiane dhe asaj shqiptare me vlerë 40 milion euro. Në përshëndetjen drejtuar me këtë rast qytetarëve të Shkodrës, të pranishëm në këtë ceremoni, Kryeministri Berisha u shpreh se "ndërtimi i lidhjeve rrugore ndërkombëtare të Shqipërisë është një nga përparësitë më madhore. Me ndërtimin e kësaj autostrade Shqipëria ka një trafik të ri me vendin mik, Malin e Zi. Së shpejti, fillon projekti i autostradës tjetër që lidh Velipojën me Ulqinin. Në këtë mënyrë, ne intensifikojmë lidhjet me Malin e Zi", tha Kryeministri Berisha. Autostrada do të ndërtohet nga kompania "Matarela", një prej kompanive më të njohura në Itali dhe në këtë drejtim, Kryeministri Berisha i kërkoi Presidentit të kompanisë që "së paku në dy sezone të punohet me tre turne, pasi çdo ditë e fituar në këtë rrugë të re është një e ardhur shumë e madhe për ekonominë e Shkodrës dhe ekonominë shqiptare në tërësi". Para qytetarëve të Shkodrës, Kryeministri premtoi se "unaza e qytetit është një nga projektet më të rëndësishme që do shndërrohet në realitet". "Siç ka bërë qyteti shëtitoren, ashtu do jetë edhe unaza e liqenit, një liqen shumë i bukur dhe me një klimë të mrekullueshme, që do shndërrohet në një nga qendrat më të fuqishme turistike të vendit", tha Kryeministri Berisha. Sipas tij "by pass-i është një vepër tjetër e rëndësishme, që do kompletohet gjatë mandatit të ardhshëm". "Unaza i mbetet qytetit, ndërsa by pass-i përjashton të gjithë trafikun ndërkombëtar dhe ndikon fuqishëm edhe në mbrojtjen e tij brenda qytetit", vijoi Kryeministri Berisha. Në përfundim, Kryeministri Berisha i bëri thirrje socialistëve të Shkodrës që të bashkohen në projektin europian të autostradave, rrugëve, ujësjellësve, kanalizimeve, pagave e pensioneve, shërbimeve shëndetësore. Në vijim, Kryeministri Berisha ishte i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të shëtitores së qytetit, buzë liqenit të Shkodrës.


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›