E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komenti/Kërkesa e Panaritit "shkrin" Aleancën Kuq e Zi

04-10-2012 / Gazeta 55

Vizita e Edmond Panaritit në Greqi përpos rikonfirmimit të raporteve institucionale dhe bashkëpunuese mes dy shteteve fqinje, mbart në vetvete edhe një speficikë të veçantë e cila rrjedh nga një kërkesë legjitime e kryediplomatit shqiptar; zgjidhjen e çështjes çame dhe pronat e shqiptarëve në Greqi. Për herë të parë, një ministër i Punëve të Jashtme i Tiranës zyrtare, kërkon në mes të Athinës të vihet drejtësi për një padrejtësi historike e cila përveç copëtimit të trojeve përmes “vulës së fuqive të mëdha”, 100 vjet më parë, ka mbi vete edhe një fatkeqësi njerëzore të popullsisë së pafajshme çame. Gjithsesi, thelbi i këtij shkrimi rreth vizitës së z.Panariti në Athinë, lidhet me “shkërmoqjen” që ai i bëri ‘kauzës’ së një lëvizje politike që proteston lagjeve të Tiranës, për të drejtat e mohuara të çamëve në Çamëri dhe pronat e tyre. Aleanca Kuq e Zi, si fraksion i ngjeshur me ngjyrime të theksuara nacionaliste, një pjesë të platformës së saj e ka pikërisht të bazuar te problemi i çamëve. S’do mend të kuptohet se një çështje e tillë, delikate për specifikën historike që mbart, nuk zgjidhet me protesta rrugicave dhe lagjeve të Tiranës, Lushnjes apo Fierit, por nga raportet institucionale dhe konventat e bashkëpunimit mes shteteve. Në këtë sens, ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, z.Edmond Panariti shfrytëzoi vizitën e programuar në Athinë dhe takimin me homologun e tij, Dimitris Avramopulos për të kërkuar pikërisht “vënien në vend” të kësaj të drejte historike, jo me protesta guerrile si ato të Kreshnik Spahiut, por me dialog dhe bashkëpunim konstruktiv mes Shqipërisë dhe Greqisë. Kjo me qëllimin e vetëm, orientimin e rrugëzgjidhjeve të çështjes çame dhe pronat e shqiptarëve në Greqi. Pyetja që lind vetiu në këtë rast është se, a i ka mbetur arsye tjetër Aleancës Kuq e Zi, për t’i vënë kapitull propagandës së stisur dhe shenjuar kështu një dështim të gjithanshëm? Padyshim që jo. Sepse e gjithë propaganda demagogjike e Kreshnik Spahiut vërtitej kryq e tërthorë rreth rolit të “butë” të Tiranës zyrtare në raportet e saj me Athinën, sa i takon çështjes çame.
Sot, që ky debat është ezauruar dhe ka zyrtarisht një kërkesë diplomatike të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë për t’i dhënë zgjidhje çështjes çame dhe pronave të shqiptarëve atje, Kreshnik Spahiut s’i mbetet gjë tjetër veçse të shpallë “shuarjen” e lëvizjes guerrile që drejton.  

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›