E Diel, 1 Nëntor 2026

“Miqësia shqiptaro-greke, faktor themelor për stabilitetin në rajon”

04-10-2012 / Gazeta 55

Panariti – Papulias

Në vijim të vizitës në Greqi, ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti, u prit në një takim të veçantë nga Presidenti i Republikës së Greqisë, Karolos Papulias.
Në takim u diskutua mbi forcimin e partneritetit midis dy vendeve, zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe, procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, zhvillimet e fundit në Greqi dhe rajon, etj. Ministri Panariti vlerësoi personalitetin e Papulias dhe kontributin e çmuar që ai ka dhënë në zhvillimin e marrëdhënieve miqësore dhe fqinjësisë së mirë mes Shqipërisë e Greqisë, në interes të dy vendeve e popujve tanë, të paqes, sigurisë dhe zhvillimit të të gjithë rajonit.
Nga ana e tij, Presidenti Papulias theksoi se e konsideron veten një mik të Shqipërisë dhe të popullit shqiptar. Ai shprehu nevojën që të dy vendet të tregojnë vullnet për të forcuar bashkëpunimin mes tyre. Ai vlerësoi progresin e madh që ka shënuar Shqipëria në drejtim të integrimit në BE dhe konfirmoi mbështetjen e Greqisë.
Gjithashtu, Presidenti Papulias e konsideroi miqësinë shqiptaro-greke si faktor themelor të stabilitetit në rajon. Dy bashkëbiseduesit veçuan rolin e komunitetit shqiptar që jeton dhe punon në Greqi, si dhe të minoritetit grek në Shqipëri si ura të forta lidhëse për fuqizimin e mëtejshëm të frymës së miqësisë midis dy popujve.
Ministri Panariti i shprehu Presidentit Papulias dëshirën që të vizitonte Shqipërinë në kuadër të festimeve të 100 vjetorit të pavarësisë, ftesë e cila u prit me kënaqësi.
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›