E Diel, 1 Nëntor 2026

Vatnikaj: Më hoqën, se u prisha vendimin për plazhin e Gjeneralit

Nga Armand Maho

Shkarkimi i drejtorit të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Tunxh Vatnikaj, ka ardhur si pasojë e një prishjeje vendimi që ky kishte bërë në lidhje me abuzimet që po ndodhnin me tokat në Plazhin e Gjeneralit. Bëhet fjalë për 48 hektarë tokë në këtë vend, një nga plazhet më të bukur të Adriatikut, e cila dukej se do të bëhej pre e abuzimit, në rast se drejtori Vatnikaj nuk do të ndërhynte me një prishje vendimi të zyrës rajonale të AKKP, Tiranë. Por duket se pikërisht kjo prishje vendimi është bërë shkas për shkarkimin e tij nga detyra.

Ka qenë një ankim i kryetarit të komunës Synej, Kavajë, që ka sjellë dhe dyshimet e para në lidhje me pronësinë e tokës në këtë zonë. Kjo ka bërë që drejtori Vatnikaj të ndërmarrë personalisht iniciativën e verifikimit dhe të kërkojë rishqyrtimin e dosjes. Pas kësaj nga vetë Vatnikaj është thirrur auditi i brendshëm i Kryeministrisë, i cili ka konstatuar se kërkesa për rishqyrtimin e dosjes është bërë nga vetë drejtori Vatnikaj, duke ndalur kështu në të njëjtën kohë dhe abuzimin që po kryhej me tokat në plazhin e gjeneralit.

Historia

Por, ç’ka ndodhur? Dyshohet se prishja e vendimit nga drejtori Vatnikaj dhe lënia e tokës në pronësi të shtetit ka prishur interesa në kupolën e lartë të pushtetit, interesat e të cilëve në lidhje me çështjet e tokave në bregdet kanë qenë dhe mbeten jashtëzakonisht të vëmendshëm. Lidhjet e personave që figurojnë si pronarë, por që në të vërtetë, siç ka konstatuar dhe auditi i brendshëm, kanë falsifikuar dokumentet, janë siguruar nga avokati i çështjes, i njohur për lidhjet e tij të ngushta me klane në pushtet. E gjithë kjo ka ndodhur brenda tre muajve, pasi në gusht 2008 vetë Vatnikaj ka firmosur një herë vendimin përkatës dhe më pas e ka prishur atë në nëntor të po atij viti. Prishja e këtij vendimi është shoqëruar me kërkesën e vetë Vatnikajt për të sjellë në dikasterin e tij kontrollin e Auditit të Brendshëm, i cili ka konstatuar dhe vetë vullnetin e drejtorit për të rishqyrtuar çështjen. Pra, në Plazhin e Gjeneralit, e thënë më thjesht, është ndaluar të ndodhë një abuzim, i cili do të bënte pronarë persona të afërt me pushtetin dhe që i kanë fort për zemër tokat në bregdet. Kjo ka sjellë dhe shkarkimin e drejtorit Vatnikaj.

Precedenti

Duket se si në rastin e drejtorit paraardhës, ashtu dhe në rastin e drejtorit Vatnikaj, kemi të bëjmë me një shkarkim të iniciuar nga mafia në pushtet. Në të dy rastet janë refuzimet për shkelje të ligjit nga ana e titullarëve të institucionit që kanë sjellë shkarkimin e tyre. Nga ana e saj vetë qeveria është e interesuar që në publik të hidhet lajmi se Vatnikaj ka abuzuar me 48 hektarë tokë. Në të vërtetë, Vatnikaj është munduar t’i paraprijë një abuzimi masiv me tokat shtetërore, në këtë rast në Plazhin e Gjeneralit. Me një llogaritje të thjeshtë do të thotë që personat që qëndrojnë pas avokatit të çështjes, që siç e thamë më lart ka lidhje të ngushta me klane në pushtet, as më shumë e as më pak janë njerëz me prapavijë qeveritare, që do të përfitonin të gjithë gjirin në Plazhin e Gjeneralit, për të ndërtuar më pas aty fshatra turistikë ose komplekse, siç ka ndodhur në Gjirin e Lalzit, apo në plazhet e jugut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›