Përsëri për deputetin Madhi dhe ata që mendojnë se mund të vazhdojnë të tallen me pronarët
Nuk do të ju drejtohesha më publikisht, sikur ju, zoti Arian Madhi, të kishit analizuar kërkesat e pronarëve të shprehura prej shoqatës kombëtare të të shpronësuarve “Pronësi me Drejtësi”, që janë bërë publike në gazeta. Duke mos shkuar shumë larg në kohë, po ju citoj artikullin e botuar në gazetën “TemA”, datë 4.12.2008, shkrimin e botuar në datën 13.01.2009, në gazetat “TemA” dhe “SOT” dhe në datën 14.01.2009, në gazetat “Ballkan”, “Republika”, “Koha Jonë”, “Telegraf” dhe “Metropol”, ku ju parashtrojmë 12 kërkesat dhe rrugën e zgjidhjes së problemit të pronës, që në fakt, ju nuk doni që të futet në rrugën e zgjidhjes, dhe gjithashtu po ju rikujtoj të rilexoni dhe shkrimin e shoqatës AK “Bregdeti” të botuar në gazetën “TemA” datë 17.01.2009. Të gjithë këta artikuj në thelb ju thonë: O politikanë, mos vidhni pronat tona, mos turpëroni emrat tuaj! Kush ju detyron ta shkelni Kushtetutën? Duke mos respektuar të drejtat tona të patjetërsueshme për pronat tona, ju deputetët, jo vetëm që shkelni betimin që keni bërë se “do zbatoni Kushtetutën”, por po shkatërroni Shqipërinë.
Ju, zoti Arian, pavarësisht nga realiteti, nga ankesat e artikujt e pronarëve që kanë arritur një numër me 3 ose 4 shifra, vazhdoni sikur të ishit i komanduar të shkruani artikuj ku synoni të justifikoheni, sikur ju keni mbrojtur dhe do të vazhdoni të mbroni interesat e pronarëve. Ju po përpiqeni të krijoni insinuatën se ju jeni partia që keni mbrojtur pronarët dhe këtë mbrojte do ta bëni në parlament edhe në të ardhmen. Jo, zoti Arian Madhi, askush nuk do të mund të tallet më me drejtat tona. E vërteta është ndryshe.. Ju dhe Partinë Republikane deri në zgjedhjet e mëparshme ne pronarët ju patëm besuar dhe ju kemi votuar, tani nuk ju besojmë më. Vetëm fakti se sot, pas 18 vjetësh, nuk janë kthyer as pronat që vazhdojnë të jenë të lira, ju turpëron të gjithëve.
Ju dhe askush nuk mund të kundërshtojë se në vitin 1991 nga zoti Sali Berisha nuk u vendos demokracia, por u vendos pseudodemokracia. Edhe sot populli vuan gafat e tij ndaj pronës private, që mbrohen nga formimi dhe mentaliteti tij i gabuar. Mentaliteti antipronar nuk i përket demokracisë, (të majtë ose të djathtët dhe kjo është analizuar nga ne pronarët në shumë shkrime), dënohet prej saj. Mentaliteti antipronar nuk i përket as kanunit dhe edhe në Kushtetutën e Shkodrës të shekullit të XIV, po ashtu ndëshkohet. Në janar 2009, vlerësimet ndërkombëtare e përcaktuan Shqipërinë si demokraci hibride.... por, siç sqarohet në raport, në kriteret e vlerësimit nga këta të huaj nuk ishte marrë në konsideratë kriteri i respektimit apo i shkeljes së titujve të pronësisë. Anglezët dhe çdo studiues i huaj mund ta kenë të vështirë të imagjinojnë faktin se të gjitha qeveritë që kanë ardhur në pushtet pas vitit 1991, në mënyrë konstante e kanë shkelur detyrimin kushtetues për ta kthyer në origjinë, tek i zoti pronën e grabitur, dhe pastaj të vazhdonin duke kompensuar atë pronë që shfrytëzohet për nevoja publike (e trajtuar në 12 kërkesat tona).
Nëse ju, zoti Arian, dhe Partia Republikane do të analizoni çfarë keni bërë me pronat, do të bindeni se jeni plotësisht të pabesueshëm, sepse në fakt keni funksionuar si kolonë e pestë, për të shtuar jetëgjatësinë e ideve antipronar dhe të alergjisë ndaj pronarëve të ligjshëm që për fat të keq i mbartte z. Sali Berisha. Jeni bashkëpunëtorë për krizën e pronës dhe situata e nderë që sa vjen dhe thellohet, nuk zgjidhet me kompensim.
Rezultati është se sot, pas 18 vjetësh, oligarkia e politikanëve nëpërmjet “ligjeve” dhe “privatizimeve” që nuk respektojnë detyrimet kushtetuese kanë vjedhur pasuritë e shtetit dhe ato të pronarëve, (kuptohet jo malësitë dhe as shkrepat, por pjesët me vlerë). Diktatura nuk është shembur, por është maskuar, sepse vazhdon dhuna e shtetit mbi pronën private, shkelet Kushtetuta, nuk respektohen titujt e pronësisë. Në këto 18 vjet Shqipëria ka bërë hapa përpara në sajë të punës së popullit brenda vendit dhe në emigracion, nga ato elemente të privatizimit që u lejuan, si dhe ndihmat kolosale të ardhura nga Evropa dhe SHBA që kanë përmirësuar disi jetesën e popullit. Por për këdo është e qartë se, për sa kohë shteti nuk respekton detyrimet kushtetuese lidhur me pronën private të trashëguar, akoma nuk ka demokraci, madje edhe shkalla “demokraci hibride” është si një lëmoshë dashamirësie, që justifikon politikanët dhe dëmton ardhjen e demokracisë. Institucionet e huaja që janë të specializuara duhet të gjejnë termin që i përshtatet më mirë këtij mishmashi ekonomiko shoqëror ku bashkëjetojnë dhe është kultivuar hajdutëria e politikanëve për pronat tona (që justifikohet me ligje), korrupsioni që buron nga lart dhe pengon pronarët qoftë edhe për të zbatuar ligjin e shkruar, demagogjinë dhe keqpërdorimin nga politikanët të ndihmës që vjen nga Evropa dhe SHBA dhe ftesave për anëtarësim në NATO dhe në BE.
Ju, zoti Arian, dhe Partia Republikane, duhet të kuptoni që i keni mashtruar pronarët, dhe sot ju po e keqpërdorni medien. Ju nuk keni asnjë të drejtë morale e jo më ligjore të flisni në emër të pronarëve. Mos e turpëroni më tej emrin tuaj dhe ju lutem mos dëmtoni më tej pronarët. Lexoni 12 kërkesat që kemi parashtruar në media në datën 13 dhe 14 janar 2009 (artikujt e cituar në krye të këtij shkrimi), për zgjidhjen e problemit të pronës dhe nëse ju pretendoni ndershmëri dhe respekt për votat që keni marrë nga zgjedhësit në legjislaturën që po mbyllet, na thoni publikisht në gazetë se cilat nga ato pika do të zgjidhni tani pa filluar fushata elektorale. Propaganda që keni bërë me të ashtuquajturin “kompensim” për sa kohë nuk ka përfunduar procesi i kthimit fizik, është politikë antikombëtare që vazhdon t’ju ngarkojë me faj . Sot për sot është shkalla e turpit moral, por nesër analistët që do shkëputen nga diktati antishqiptar dhe influencat klanore, me siguri që do t’ju citojë si një shembull ku spikasin pasojat e politikës antikombëtare. Eksperimenti me Shqipërinë vërteton se një vend mund ta tjetërsosh dhe asgjësosh edhe duke korruptuar dhe implikuar politikanët e atij vendi. Shpresoj se ky artikull do ju vlejë ju dhe shumë të tjerëve për katarsis, që të reagoni duke iu kërkuar publikisht falje në radhë të parë shqiptarëve e familjes tuaj, pastaj pronarëve për dëmet e mëdha që iu keni shkaktuar, të denonconi edhe ju publikisht qëndrimin dhe nismën antipronar që ne 1991, të ish-presidentit Ramiz Alia dhe sot të kërkoni deri largim nga koalicioni qeverisës, nëse kryetari Sali Berisha nuk pranon zbatimin me urgjencë e pa hezitim të 12 kërkesave që kemi bërë publike.