E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadori amerikan John Withers, apel për zgjedhje të lira dhe të ndershme, më 28 qershor

“KQZ-ja meriton përgëzime dhe inkurajim për transparencën e vet në këto zgjedhje”

Ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon Withers ka vlerësuar maksimalisht punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në funksion të transparencës së gjithë procesit 

Parapërgatitor të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 28 qershorit. “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve meriton të përgëzohet për një inkurajim të një niveli të madh të transparencën në këto zgjedhje dhe për përpjekjet që ka bërë për ta bërë vendin gati për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve. Nxis KQZ që të vazhdojë të përmbushë detyrat e tij në mënyrë profesionale e të paanshme”, deklaroi dje ambasadori Withers në ceremoninë e nënshkrimit të një marrëveshjeje mes KQZ dhe Agjencisë së Administrimit të Zgjedhjeve (ECA) e cila në bashkëpunim me organizatën KRIIK do të realizojnë projektin e mbështetur financiarisht nga USAID, “Rezultatet Direkte të Zgjedhjeve”, gjatë mbajtjes së zgjedhjeve të 28 qershorit. 

Nga ana e tij, Kryetari i KQZ, Arben Ristani, deklaroi se ky autoritet ka punuar që organizimi i procesit zgjedhor të jetë i besueshëm. “KQZ ka punuar me transparencë, kjo edhe për shkak të mundësive që i ka krijuar ligji”, tha Ristani, duke shtuar se procesi i numërimit të votave do të ketë 66 vende, të monitoruara me kamera dhe vendet e numërimit të votave do të jenë të lidhura në rrjet, i cili do të komandohet nga KQZ në mënyrë direkte.

Ambasadori amerikan vlerësoi sërish KQZ se kreditimi i këtyre grupeve si dhe i vëzhguesve vendorë është një tregues pozitiv që tregon jo vetëm përkushtimin e këtyre grupeve ndaj parimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme por që tregon dhe gatishmërinë që ekziston ndaj autoritetit zgjedhor në Shqipëri për të lejuar një inspektim në çdo hap të këtij procesi. Duke ju drejtuar monitoruesve, Withers ka përfituar nga rastri për të vënë në dukje edhe njëherë rëndësinë që këto zgjedhje të jene të lira dhe të ndershme. 

Ndërkaq një mesazh të veçantë ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës i ka adresuar zgjedhësve shqiptarë. “Unë i kërkoj të gjithë votuesve që të ushtrojnë të drejtën më të çmuar civile, të drejtën për të votuar dhe ju them atyre: mos kini frikë të votoni. E thënë sinqerisht, të gjithë e dimë, që zgjedhjet në të kaluarën në Shqipëri nuk i kanë përmbushur standardet ndërkombëtare. Si anëtare e re e NATOS, Shqipëria në këto zgjedhje duhet t’i plotësojë këto standarde. Praktikat manipuluese të së shkuarës nuk duhet të përsëriten më... Prandaj i them qytetarëve shqiptarë: vota është e drejta e shenjtë e demokracisë, është privilegji i lirisë.  Mos ia lejoni kurrkujt që të marrë këtë të drejtë nga ju”, deklaroi Withers midis të tjerave. 

Ambasadori amerikan ka bërë të qartë se projekti i dy OJF-ve ka vetëm mbështetjen financiare të SHBA-së por nuk duhet ngatërruar si një veprimtari e këtij vendi. Edhe ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Robert Bosch, ka apeluar për zgjedhje korrekte dhe brenda standardeve të përcaktuara të dielën e ardhshme. Në fjalën e tij në ceremoninë e nënshkrimit të një marrëveshjeje mes KQZ dhe Agjencisë së Administrimit të Zgjedhjeve (ECA) e cila në bashkëpunim me organizatën KRIIK do të realizojnë projektin e mbështetur financiarisht nga USAID, “Rezultatet Direkte të Zgjedhjeve”, Bosch e vuri theksin në fenomenin e votimeve familjare, duke bërë thirrje që ky fenomen duhet ti mbeten së kaluarës. Ambasadori bëri apel që në këto zgjedhje të mos ketë më as justifikime as shfajësime nga ana e organizuesve dhe pjesëmarrësve në to. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›