Raporti i BSH: “Kriza ekonomike në Shqipëri po thellohet”
Ervin KOÇI
Analiza e një sërë treguesish ekonomikë dhe financiarë sugjeron për një ngadalësim të aktivitetit ekonomik në vend gjatë vitit 2009, në përgjigje të ndikimeve të krizës ekonomike botërore. Këtë konstatim e pohoi dje Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë pas mbledhjes së tij të radhës ku mori në shqyrtim “Raportin Mujor të Politikës Monetare”. Në këto rrethana, BSH-ja vendosi që të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 5.75 për qind. Sipas BSH-së, “ulja e ritmeve të kredisë, ngadalësimi i zgjerimit monetar, zhvillimet në bilancin e pagesave gjatë muajve të parë të vitit 2009, ecuria e disa treguesve fiskalë dhe opinionet e biznesit e konsumatorëve, sugjerojnë se kërkesa e brendshme ka ardhur në rënie”. Ky zhvillim është reflektuar në reduktimin e shkallës së shfrytëzimit të kapaciteteve të bizneseve dhe në uljen e presioneve të brendshme inflacioniste. Nga ana tjetër, presionet e jashtme inflacioniste kanë ardhur në rritje: ulja e çmimeve të lëndëve të para në tregjet botërore është kompensuar nga nënçmimi i lekut gjatë kësaj periudhe, duke rezultuar në rritjen e çmimeve në vend të disa mallrave të importit dhe duke sjellë një rritje të lehtë të inflacionit në muajin maj kundrejt nivelit të shënuar në muajin e shkuar.
Inflacioni
BSH-ja konstaton se rritja e inflacionit në vend në muajin maj, ka vijuar të pasqyrojë në mënyrë më të plotë prirjen nënçmuese të kursit të këmbimit në çmimet e mallrave të konsumit që kanë origjinë importi. Inflacioni vjetor në muajin maj të vitit 2009 rezultoi 2.1 për qind, duke u rikthyer brenda intervalit të tolerancës rreth objektivit 3 për qind të BSH-së. Kontributin kryesor në inflacionin total e kanë dhënë ushqimet e papërpunuara me 1.8 pikë përqindjeje dhe ato të përpunuara me 0.3 pikë përqindjeje. Çmimet e administruara dhanë kontribut negativ prej 0.4 pikë përqindjeje duke kompensuar kontributin pozitiv të kategorisë “Shërbime”. Goditje relativisht të lehta nga krahu i ofertës, si rritja e çmimit të naftës, kanë gjetur reflektim në rritje e inflacionit të muajit maj. Sakaq, informacioni më i fundit dhe analizat përkatëse sugjerojnë ngadalësim të aktivitetit ekonomik në vend në tremujorin e parë, i shprehur ky në ngushtimin e aktivitetit kredidhënës për sektorin privat, në rënien e eksporteve, në ngadalësimin e ritmit të zgjerimit monetar dhe në mosrealizimin e planit të të ardhurave fiskale.
Rritja ekonomike
Rezultatet e vrojtimeve të besimit konfirmojnë rënien e ritmit të rritjes së ekonomisë në tremujorin e parë dhe të dytë 2009, duke sinjalizuar dobësimin e kërkesës së brendshme dhe asaj të jashtme. Tremujori i parë i vitit 2009 dëshmon për përkeqësim të pozicionit të jashtëm të vendit si pasojë e zgjerimit të deficitit korent, i cili ka rezultuar rreth 25 për qind më i lartë se një vit më parë. Rënia e kërkesës së brendshme dhe të jashtme ka sjellë rënien e importeve dhe të eksporteve, duke rezultuar me një ngushtim të lehtë të deficitit të bilancit tregtar. Eksportet dhe importet e mallrave shënuan rënie vjetore, respektivisht prej 14.7 për qind dhe 5.6 për qind. Megjithatë, rënia e suficitit të të ardhurave korente dhe të shërbimeve, ka sjellë zgjerimin e deficitit të llogarisë korente. Ky zgjerim nuk është mbuluar plotësisht nga të hyrat e llogarisë kapitale dhe financiare, duke rezultuar në një deficit të lehtë të bilancit të pagesave për këtë periudhë. Një zhvillim i tillë është duke u monitoruar me kujdesin e duhur nga BSH-ja, duke vlerësuar implikimet e mundshme të tij për ekuilibrat makroekonomikë dhe duke faktorizuar nevojën për një qëndrueshmëri afatgjatë të pozicionit të jashtëm valutor të ekonomisë në vendimmarrjen e saj.
BSH: “Bankat private mbajnë interesa abuzive për kreditë“
Bankat private në Shqipëri, janë duke abuzuar fort me interesat që u mbajnë qytetarëve që aplikojnë për kredi, edhe pse në tregun ndërkombëtar, situata është krejt ndryshe. Këtë konstatim e ka nxjerrë Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së i cili vendosi që të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 5.75 për qind. BSH-ja evidenton faktin se rënia e normave të interesit në tregun ndërkombëtar nuk ka çuar në uljen e interesave të kredisë në valutë në tregun e brendshëm. “Edhe gjatë muajit maj ecuria e lekut ka vijuar thellimin e tendencës nënçmuese, ndërkohë që ecuria e tij në muajin qershor paraqet një sjellje mbiçmuese, kryesisht nën efektin e faktorëve sezonalë”, - thuhet në Raportin e BSH-së. Sipas BSH-së, kredia për ekonominë ka vijuar të ngadalësohet më tej në muajin prill. Norma vjetore e rritjes së saj (e pastruar nga efekti i kursit të këmbimit), shënoi vlerën 21 për qind në muajin prill kundrejt vlerës 25 për qind të shënuar në muajin mars. Shtrëngimi i kushteve të përgjithshme të kredidhënies është ndjerë më tepër në plotësimin e kërkesës për huamarrje në valutë. Në muajin prill, pesha e kredisë në lekë ndaj totalit të kredisë u rrit në 31 për qind, nga 28 për qind në fund të vitit 2008. Normat afatgjata të interesit kanë shënuar një rritje të mëtejshme, duke reflektuar si ç’balancimin e kërkesës dhe ofertës për fonde në këto maturitete, ashtu edhe rritjen e primeve perceptuar të rrezikut nga ana e ofruesve të fondeve. Këto zhvillime janë pasqyruar edhe në rritjen e normave të interesit të kredive në lekë, të cilat ndjekin nga afër ecurinë e normave të interesit të letrave afatgjata të borxhit të qeverisë.
25 Qershor 2009