E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLD, Gaba s’kthehet në detyrë

 

Fatos Mahmutaj

Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendosi dje të mos e kthejë në detyrën e gjyqtares, ish-kryetaren e Apelit të Vlorës Gjinovefa Gaba, derisa të njihet me vendimin e zbardhur të Kole-gjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë. Vendimi për të mos rikthyer Gabën në punë, pas shpalljes së dispozitivit të vendimit nga Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, ka ardhur pas argumenteve të paraqitur nga anëtarët e KLD-së se vendimi në fjalë mund të jetë i atakueshëm përsa i përket kushtetueshmërisë së tij dhe për pasojë mund të ankimohet në Gjykatën Kushtetuese. Mbledhja e djeshme e KLD-së ishte planifikuar më parë, ndërsa diskutimi i çështjes "Gaba" në rendin e ditës u vendos tre ditë më parë, menjëherë pasi Gjykata e Lartë shpalli vendimin kundër KLD-së për rikthimin e saj në detyrë. Burime nga KLD, thanë dje se, çështja e rikthimit në detyrë të Gjinovefa Gabës dhe dy ish-gjyqtarëve të tjerë të Apelit të Vlorës, Vasil Hanxhari e Sokol Ngresi, ka zënë pjesën më të madhe të diskutimeve në mbledhjen e djeshme. Anëtarët e KLD-së kanë diskutuar nëse Këshilli duhet ta zbatojë vendimin e Kolegjeve të Bashkuara, duke u mjaftuar me dispozitivin e shpalljes së tij apo duhet të pritet zbardhja dhe dorëzimi i tij zyrtarisht në këtë institucion. Në fund të diskutimit, mësohet se anëtarët e pranishëm kanë rënë dakord që të mos e ekzekutonin këtë vendim, pa u njohur me pjesën arsyetuese së tij. Po kështu, dje gjatë mbledhjes KLD-ja vendosi të delegonte 10 gjykatës penalistë të kryeqytetit te Krimet e Rënda, për të gjykuar çështje të ndryshme, mes të cilave një kolegj pesëanëtarësh që do gjykojë kreun e bandës së Lushnjës, Aldo Bare. Vetëm pak ditë më parë, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë vendosën të prishnin vendimet e KLD-së për shkarkimin nga detyra të ish-kryegjykatëses Gaba dhe dy vartësve të saj, Hanxhari dhe Ngresi. Gjykata e Lartë i shqyrtoi të martën ankimet e tre ish-gjykatësve të shkarkuar për shkelje të shumta në detyrë, përfshi edhe shpalljen e një vendimi në kohën Hanxhari ndodhej në Maqedoni. Para Kolegjeve të Bashkuara, Gaba nuk preferoi të fliste, duke u mjaftuar vetëm me: "Jam dakord me avokatin tim", ndërsa mbrojtësi i saj për pak minuta lexoi materialin që kishte përgatitur me shkrim, duke pretenduar se KLD-ja kishte gabuar me vendimin për shkarkimin e klientes së tij. Ndërsa përfaqësuesit e KLD-së para Kolegjeve të Bashkuara pohuan se vendimi i Këshillit duhet të lihej në fuqi. Sipas tyre, ky institucion kishte vendosur për shkarkimin e Gabës pasi ishte njohur me raportin e kontrollit që kishte përpiluar Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë pas kontrolleve të kryera në Gjykatën që drejtohej nga Gaba. Sipas raportit të Inspektoratit, në Apelin e Vlorës janë gjetur dhjetëra shkelje të kryera nga Gaba dhe gjykatësit e tjerë të këtij institucioni, shkak ky për të dërguar më pas Gabën për t'u hetuar nga prokuroria e Kavajës për gjashtë muaj nën akuzat: "falsifikim dokumentesh" dhe "shpërdorim detyre". Po kështu, në fillim të vitit 2006, Kuvendi me kërkesë të së djathtës qeverisëse bllokoi promovimin e Gjinovefa Gabës, si anëtare e Gjykatës së Lartë. Ish-presidenti Alfred Moisiu e dekretoi Gabën, ndërsa parlamenti e refuzoi kandidaturën e saj. Në të njëjtën kohë, Kryeministri Sali Berisha pohoi se makina e familjes së Gabës ishte kapur me drogë në vitin 2000, ndërsa ishte vërtetuar se kjo gjykatëse kishte liruar nga qelia një prej anëtarëve të bandës së Aldo Bares.

Shkeljet e Gabës

Korrigjime të parregullta në regjistër. Nuk vërtetohen me nënshkrimin e korrigjuesit. Korrigjim me fshirje boje kimike dhe rishkrim në 3 raste ose fshirje direkte me prishje dhe rishkrim sipër, në 11 raste.
20 raste të datave kontradiktore në raportin numër veprimi me datën progresive.
Vetëm për vitin 2005, 45 raste në radhorin e vendimeve civile, të lënies së fletëve ose rubrikave bosh.
Mosmbyllja e regjistrave themeltarë në fund të vitit.
Lënie e rubrikave të bardha, pa plotësim.
Mosfiksim i mënyrës së caktimit të çështjeve.
Çështje të caktuara me short për shkaqe të ndryshme i jepen pa short një gjyqtari tjetër pa u vendosur shënimi përkatës, ndërkohë që mund të rezultojë që është gjykuar nga një gjyqtar tjetër i tretë.
Hedhje shorti, duke qenë jashtë shtetit.
Dhënie vendimi, duke qenë jashtë shtetit.
Favorizim i krimit deri në lirimin e anëtarëve të bandave më të rrezikshme, përfshi një anëtar të bandës së Aldo Bares.

"Gaba", gjykata rrëzoi KLD-në e Presidentin
TIRANE - Gjykata e Lartë vendosi pak ditë më parë të rrëzonte KLD-në për shkarkimin nga puna të gjykatëses Gjinovefa Gaba. Vendimi i Kolegjeve të Bashkuara ende nuk është zbardhur për t'iu dorëzuar Këshillit, por burime nga Gjykata e Lartë pohojnë se katër prej anëtarëve të këtij institucioni votuan kundër rikthimit të Gabës në detyrë. Sipas tyre, që në fakt mbetën në pakicë, duhet të vlerësoheshin mes të tjerash edhe shkeljet e shumta që Gaba kishte kryer gjatë ushtrimit të detyrës përfshi edhe arrogancën me të cilën ajo kishte drejtuar institucionin. Në lidhje me këtë fakt, inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë i ka përcjellë KLD-së dhjetëra raste të falsifikimit, korrigjimit dhe fshirjeve nëpër regjistrat e institucionit të Apelit të Vlorës, shkelje të kryera gjatë periudhës qershor 2004- qershor 2007.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›