E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura, ngelin në provimet e detyruara 4100 nxënës

 

zirina llambro

Drejtoritë arsimore tërheqin notat e provimeve të matematikës. Nga sa bëhet me dije, dje pasdite ka nisur afishimi i tyre edhe në shkolla. Tashmë maturantët kanë në duar rezultatet e dy provimeve me detyrim dhe janë gati për të plotësuar formularin A2. Me anë të tij, do të mund të caktojnë 10 degët e shkollës së lartë ku duan të konkurrojnë. Por për fat të keq, 4100 kandidatë janë s’kualifikuar nga kjo fazë e maturës. Ata nuk kanë mundur të marrin pikët e nevojshme për të marrë notë kaluese në njërin nga provimet e detyrueshme. Kështu, sipas Ministrisë së Arsimit rreth 2500 nxënës kanë rezultuar mbetës në provimin e matematikës ndërsa 1600 të tjerë në atë të letërsisë. Ata tashmë nuk mund të bëhen pjesë e garës për në universitet. U duhet të presin vitin që vjen. Sa i përket notave maksimale, në të gjithë vendin në matematikë kanë marrë dhjetë 395 maturantë. Ndryshe nga sa ka ndodhur vitet e tjera, në provimin e letërsisë notën dhjetë e kanë rrëmbyer vetëm 200 nxënës, prej tyre rreth  50 i përkasin gjimnazeve të  Tiranës. Një tjetër “rekord” që është shënuar këtë vit në provimin e dytë me detyrim është fakti se plot 15 gjimnazistë kanë marrë të gjitha pikët e mundshme, duke u renditur kështu në listën e nxënësve të shkëlqyer. Në provimin e letërsisë, me gishtat e njërës dorë numërohen maturantët që kanë arritur të grumbullojnë të gjitha pikët. Prova e tretë që do të japin gjimnazistët janë provimet me zgjedhje. Testimit për  lëndët që kanë caktuar për të dhënë provim në formularin A1, ata do t’i nënshtrohen më datë 10 korrik. Më tej do të bëhet llogaritja e pikëve nga APRIAL dhe do të shpallen fituesit. Ashtu si vitet e tjera, që nga nisja e aplikimit të Maturës Shtetërore, çdo kandidat mund të shpallet fitues vetëm në një degë nga dhjetë preferencat që do të rendisë në formularin A2. Këtë vit janë rreth 36 mijë maturantë që konkurrojnë për në shkollat e larta. Qeveria pritet të miratojë edhe kuotat e pranimit për çdo fakultet. Nga sa është premtuar, numri i tyre këtë vit do të jetë më i lartë. Vetëm Universiteti i Tiranës ka propozuar mbi 7100 kuota, numër ky goxha më i lartë se ato të vitit të kaluar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›