E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Komisar Katani", 24 ore ne Fier

Aktori i njohur për publikun shqiptar, Mikele Placido do të qëndrojë në Fier 24 orë. Për ardhjen e tij, shkak është bërë edicioni i dytë i Festivalit të Filmit, ku ai është i ftuar nderi. Lajmi konfirmohet për "GSH" nga drejtori i këtij festivali, Ervis Koci. "Apolonia International Students Film Festival" mbahet në data 20-25 shtator 2013 dhe në të konkurrojnë 50 filma me metrazh të shkurtër nga 29 shtete të botës. Qëllimi i këtij aktiviteti është të rikthejë dashurinë e qytetarëve për kinemanë e munguar në shumë vite, të shpalosë një risi artistike për qytetin dhe qytetarët e Fierit dhe të hapë një dritare të re komunikimi multikulturor. 

"Nëpërmjet këtij festivali qytetarët do të mësojnë më shumë për kinemanë e re shqiptare dhe atë të huaj nga shfaqja e filmave studentorë. Nuk do të mungojnë dhe premierat e filmave më të fundit shqiptarë. Ata do të arrijnë të rikthejnë sytë nga kinemaja shqiptare, e cila për fat të keq, ka vite që nuk ndihet në çdo familje shqiptare, apo dhe në kinematë e mbarë vendit", - ka përfunduar drejtori i "Apolonia International Students Film Festival". Juria e "Apolonia International Students Film Festival" edicioni i dytë: Kryetar Mevlan Shanaj dhe anëtarë: Karin Liren, Ismet Azemi, Radostina Neykova dhe Miola Sitaj. Do të ndahen disa çmime, ndër kryesorët janë: Dokumentari më i mirë, filmi më i mirë, filmi më i mirë në gjuhën shqipe etj. 
(e.m/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›