Komision, debate për buxhetin suplementar
Tiranë- Mbledhja e Komisionit të Ekonomisë është shoqëruar me debate të shumta lidhur me buxhetin suplementar. Sipas ministrit të Financave, Ridvan Bode paratë e përfituara nga privatizimet e kompanive shtetërore do të shkojnë për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës.
Deklaratën, Bode e ka bërë gjatë kohës që prezantonte buxhetin suplementar para anëtarëve të Komisionit të Ekonomisë.
Ashtu si ka thënë edhe në seancën plenare të së hënës, Bode ka sqaruar se në këtë buxhet parashikohen rritje të investimeve.
Por, nuk ka qenë aspak dakord opozita, anëtarët e së cilës në komision janë shprehur me shumë rezerva për këtë buxhet, duke e quajtur atë vetëm një demagogji të qeverisë Berisha.
Deputeti socialist, Arben Malaj ka thënë se në buxhet nuk ka shumë detaje të parashikuara, ka ulje të investimeve të huaja dhe kapitale dhe nuk ka asnjë parashikim të bërë për kompensimin e qyetetarëve. “Qeveria në këtë buxhet nuk ka parashikuar fonde për kompensimin e qytetarëve për rritjen që kanë pësuar çmimet dhe as fondet për bujqësinë”- tha ai.
Vetëm një ditë më parë, Malaj nga selia e PS-së doli në një deklaratë për shtyp duke e quajtur demagogji të qeverisë atë që ajo e cilëson buxhetin e madh shtesë. Ai renditi argumente pa fund që dëshmojnë varfërinë e qytetarëve dhe heshtjen e qeverisë për këtë situatë.