E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisionerët e partive politike akuzojnë njëri tjetrin si shkaktarë të prishjes së procesit të numërimit

Incidentet nuk kanë munguar dhe gjatë ditës së dytë në KZAZ-të e Tiranës, ku ka patur përplasje midis komisionerëve dhe vëzhguesve nga të dyja forcave politike. Në KZAZ numër 50 të Kombinatit, në shkollën Shyqyri Peza, është ndërprerë disa herë gjatë paradites procesi i numërimit të votave, dy herë ky proces është ndërprerë për shkaqet teknike sepse nuk kishte energji elektrike dhe monitorët nuk ishin në punë, ndërsa është ndërprerë dhe disa herë të tjera ku shkak janë bërë futja e militantëve të Partisë Demokratike brenda në qendrën e numërimit të votave, dhe për këtë arsye komisionerët dhe vëzhguesit e Partisë Socialiste e kanë ndërprerë numërimin e votave disa herë duke kërkuar që të largohen militantët e partive politike pastaj mund të fillojnë procesin e numërimit të votave.Ndërkohë që janë kthyer disa herë mbrapsht numërimi i kutisë së KQV 1719, ku komisionerët socialistë kanë kërkuar që fletët e votimit të mos kaloheshin shumë shpejt nga monitori pasi nuk mund të merrnin të saktë numrin e fletëve të votimit. Kryetari i kësaj KZAZ-je Gëzim Çekrezi në një prononcim të dhënë për gazetën SOT, u shpreh se pretendimet e socialistëve janë të pabaza për shkak se numërimi i votave bëhet mbasi ka përfunduar procedura e ndarjes së fletëve të votimit, dhe më pas komisionari socialist i cili është i pranishëm mund të nisë numërimin e votave dhe të nxjerrë numrin përfundimtar të tyre. Gjithashtu edhe në KZAZ numër 51 tek 21 Dhjetori, në fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, komisionerët e të dyja partive politike herë pas herë kërkonin ndërprerjen e procesit të numërimit të votave ku shkaqet kanë qenë nga më të ndryshmet. Në disa kuti votimi fletët e votimeve kanë qenë më të shumta në numër nga çfarë ishte shkruar në procesverbal, dhe komisionerët socialistë kanë kërkuar ndërprerjen e procesit të numërimit deri në sqarimin e plotë të këtij problemi, gjithashtu i kanë bërë dhe një denoncim për këtë situatë të paraqitur dhe në KQZ. Sipas vëzhgues së Partisë Socialiste këto fletë votimi janë futur qëllimisht nga njerëz të cilët kërkojnë që të shkatërrojnë këtë proces, sipas tyre PD po përpiqet me të gjitha mënyrat për të fituar zgjedhjet. Dhe mbas dy orësh pushimi kanë filluar serish nga puna por këtë herë procesin e numërimit të votave në këtë KZAZ e kanë ndërprerë vëzhguesit e partisë demokratike të cilët nuk ishin dakord me nxjerrjen si të pavlefshme të disa fletëve të votimit të cilat ishin në favor të tyre, këta të fundit kanë kërkuar rikthimin edhe një herë nga e para të kutisë së votimit pasi nuk binin dakord me shifrat që kishin dalë, ku kryesonte Partia Socialiste me 1200 vota. Sipas një komisionereje të Partisë demokratike procesi ka vijuar normalisht po ka patur vetëm një moment në të cilin procesi i numërimit të votave është ndërprerë për shkak se komisionerët socialistë kërkonin që të nxirrnin rreth 40 fletë votimi si të pavlefshme, dhe shtoi se momentin që vëzhguesit e Partisë Socialiste e kanë quajtur si acarim të madh të gjendjes për shkak të pretendimeve të tyre se një kuti votimi ka patur më shumë fletë nga çishte shkruar në procesverbal nuk ka qenë e vërtetë pasi në ato momente të gjithë vëzhguesit dhe komisionerët e kësaj qendre të numërimit të votave kanë vendosur bashkërisht që të bënin pushim për faktin se ndiheshin shumë të lodhur, duke e cilësuar vëzhguesen socialiste si një person dashakeqës dhe një person i cili do të pengojë procesin e numërimit të votave për shkak se kanë frikën e humbjes. Por pushimet në këtë qendër votimi nuk kanë qenë për herë të para pasi dhe një ditë më parë ata kanë vendosur që të pushojnë, duke përdorur serish të njëjtin justifikim atë të lodhjes fizike dhe psikologjike dhe se nuk mund të vazhdonin akoma më tej me numërimin e votave. Situata ka vazhduar të jetë sërish e rënduar dhe në KZAZ numër 54 tek shkolla Avni Rustemi ku herë pas here kandidatë e të dyja palëve ndërhynin për të penguar këtë proces sepse ka patur një fluks të madh militantësh të cilët futeshin brenda dhe nuk lejonin që të punohej qetësisht numërimi i fletëve të votimit.

 ***********************************************************************************
Incidentet rriten edhe më shumë në përfundim të procesit të numërimit

Procesi i numërimit të votave në KZAZ-në 50, në Kombinat, ka patur përplasje ndërmjet komisionerëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe dy partive të tjera për shkak të manipulimit që ju ishte bërë. Sipas vëzhgueses së LSI ka patur dy probleme shqetësuese në lidhje me këtë proces të numërimit të votave sepse sipas tyre komisionerët e të dyja forcave politike kanë manipuluar disa vota të LSI duke i cilësuar si të pavlefshme, gjithashtu një tjetër problem që vëzhguesja e LSI ka evidentuar ka qenë dhe ai i kalimit shumë të shpejtë të fletëve të votimit në monitor, ku sipas saj vëzhguesve nuk ju është dhënë mundësia për të parë qartë fletën e votimit. Komisionerët e Partisë Demokratike deklaruan se situata ka qenë mjaft e qetë gjatë gjithë pasdites, por sipas komisionerëve socialistë ky proces i numërimit të votave në këtë KZAZ ka qenë me probleme që nga fillimi dhe gjatë gjithë procesit të numërimit të votave, dhe shkak për këtë janë bërë herë pas herë incidentet e shpeshta që ka patur në këtë qendër votimi. Socialistë akuzonin drejtpërdrejt komisionerët demokratë për prishje të procesit të votimit të cilët kapeshin me disa fletë votimi në të cilat dukej dukshëm se votuesi kishte votuar Partinë Socialiste. Ne jemi treguar gjithmonë më tolerues gjatë gjithë këtij procesi sepse kur ne kemi parë dhe konstatuar se në një fletë votimi ishte fare e qartë vota për Partinë Demokratike edhe pse kryqi mund të kishte dalë fare pak nga kutia, ne e kemi quajtur si votë për PD, ndërsa ata nuk e kanë bërë një gjë të tillë, deklaroi një komisioneve e Partisë Socialiste. Ndërsa komisionerët e Partisë demokratike ishin shumë të zhgënjyer me rezultatin përfundimtar në këtë zonë të cilën ata e kishin cilësuar si një bastion të djathtë para zgjedhjeve. Sipas një vëzhgueseje të Partisë Demokratike në sondazhet e bëra nga vetë kjo parti para zgjedhjeve rezultonte se Kombinati dhe lagjet e tjera përreth i përkisnin së djathtës, megjithëse deklaratat nga socialistët ishin se gjithmonë Kombinati ka qenë bastion i majtë dhe se asnjëherë PD nuk ka mundur që të fitojë në këtë zonë ku sipas tyre avantazhi prej gati 1700 votash nuk ka qenë rezultati më i thellë që Partia Socialiste ka patur në këtë zonë. Sipas komisionerëve socialistë janë bërë manipulime me votat. Kryetari i kësaj KZAZ-je nuk pranoi që të prononcohej, pasi kishte mbetur vetëm një kuti për tu hapur dhe PS ishte në avantazh prej 1700 votash. Sipas komisionerëve socialistë mos prononcimi për mediat nga ana e kryetarit të komisionit të KZAZ-së vjen për shkak të mërzitjes së humbjes në këtë KZAZ.  
Last Updated on Wednesday, 01 July 2009 01:09

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›