E Diel, 1 Nëntor 2026

OBSH: Virusi H1N1, 70 mijë të prekur deri më tani, Shqipëria jashtë hartës së vendeve të prekura

Numri i personave të prekur nga virusi A (H1N1) ka arritur në mbi 70 mijë vetë, duke u përhapur në mbi 110 vende dhe zona të ndryshme të botës. Ndërkohë që Shqipëria nuk përfshihet në hartën gjeografike të përhapjes së këtij virusi. Bazuar në raportimin e fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (29 qershor) mbi përhapjen e virusit në botë, vihet re se hartës së përhapjes të virusit i janë shtuar dhe 8 vende, apo zona gjeografike, duke arritur në 116, nga 108 që ishte në datën 24 qershor. Brenda një muaji harta gjeografike e përhapjes së virusit A (H1N1) është zgjeruar me mbi 60 vende dhe zona gjeografike, nga 53 ishte ky numër në fund të muajit maj (sipas raportimit të datës 29 maj). Numri i rasteve të të infektuarve nga ky virus është rritur me rreth 15,000 brenda 5 ditëve të fundit (bazuar në raportimin e OBSH, data 24 qershor), duke e çuar numrin total të të prekurve në të gjithë botën në 70,893. Sipas OBSH-së, deri tani numri i vdekjeve nga virusi A (H1N1) ka arritur në 311. Përhapja e madhe gjeorgrafike e virusit A (H1N1) ka detyruar OBSH-në të rrisë disa ditë më parë shkallën e pandemisë në 6, që është dhe shkalla më e lartë. Kjo është hera e parë në 40 vjet e një përcaktimi të tillë, ndërkohë që shpallja e gripit epidemik (shkalla 6 e rrezikut) nuk do të thotë se sëmundja është bërë më e rëndë, por është shtuar numri i njerëzve të infektuar në rajone të ndryshme të botës.
Ndërkohë, Meksika, vendi ku dhe u shfaq rasti i parë me virusin A (H1N1), vazhdon të jetë dhe më i prekuri me 116 vdekje, ndërsa në total numri i të prekurve arrin në 8 279. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhe numrin më të madh të të prekurve, duke shënuar deri tani 27 717 raste në total, nga të cilat 127 vdekje. Brenda dy ditëve, në SHBA janë konstatuar 6268 raste të reja, me 40 vdekje. Vihet re përhapje në Australi me 758 raste të reja, duke e çuar numrin total në 4038 raste të konfirmuara. Nga këto, janë konfirmuar dhe 7 raste me vdekje. Raste të reja janë konfirmuar edhe në Kanada, 1043 të tilla, duke e çuar numrin e të prekurve nga virusi A (H1N1) në 7775 persona. Kanadaja, sipas raportimit të OBSH-së të datës 29 qershor, ka konfirmuar dhe 21 raste me vdekje.
Për rajonin e Ballkanit të dhënat e fundit nga OBSH flasin për 86 raste të konfirmuara me virusin A (H1N1) në Greqi, nga të cilat 13 raste të reja. Raste të reja janë konfirmuar dhe në Bullgari, duke arritur në 7 raste të prekura nga virusi A (H1N1), ndërsa në Rumani deri tani janë konfirmuar 24 raste. Hartës gjeografike të përhapjes së virusit A (H1N1) në Gadishullin e Ballkanit i është shtuar dhe Mali i Zi, me një rast të konfirmuar deri tani.
Shqipëria nuk është prekur nga ky virus, ndërkohë që janë marrë të gjitha masat për përballimin e ndonjë situate të mundshme, në zbatim të rekomandimeve të OBSH. Pas rritjes së shkallës së rrezikut të pandemisë në 6 nga OBSH disa ditë më parë, si dhe me shfaqjen e virusit në rajonin e Ballkanit, strukturat shëndetësore kanë rritur vigjilencën e sistemit për përballimin e situatave të mundshme të paktën kjo është deklaruar deri më tani.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›