E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, “mungojnë” komisionerët e majtë

24/06/2009  Elbasan, nuk konstituohen Komisionet e Qendrave të Votimit. Nuk afishohen as listat e zgjedhësve

ELBASAN-Subjektet zgjedhore nuk kanë depozituar ende listat e kandidatëve kur duhen edhe 4 ditë nga votimet. Kreu i zyrës rajonale zgjedhore Dhimitër Zoografi thotë se kur duhen edhe pak ditë në këtë zyrë kanë mbërritur vetëm listat e anëtarëve të KZQV për tre subjekte politike, ndërsa i katërti, Partia Socialiste ende nuk i ka depozituar këto lista.

Vonesat

Sipas tij, ky proces duhet të ishte mbyllur rreth 20 ditë më parë, por ende ky subjekt që nuk ka respektuar afatet nuk e ka mbyllur këtë proces që sjell edhe konstituimin e komisionit. Kjo ka bërë që komisioni të mos trajnohet për këtë proces zgjedhor. Gjithashtu një tjetër shqetësim që është ngritur për zgjedhjet ka lidhje me numrin e madh të votuesve në bashkinë më të madhe, Elbasanin dhe numrin e vogël të tavolinave të numërimit. Zoografi thotë se kjo gjë vjen ngaqë tavolinat janë përcaktuar në bazë të qendrave të votimit nëpërmjet ligjit dhe Kodit Zgjedhor mirëpo Elbasani duke qenë qytet ka shumë qendra të bashkuara dhe janë rreth 100 të tilla, ndërsa për zonat rurale numri i qendrave është më i madh. Ky fakt mund të vonojë mjaft nxjerrjen e rezultatit për bashkinë më të madhe, Elbasanin që numëron gjithsej 93 mijë votues. Edhe pse i është bërë thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të shtojë tavolina numërimi, kjo gjë nuk ka marrë përgjigje pozitive. Ndërkohë në Librazhd po haset si problem shkurtimi i 8 qendrave të votimit sidomos në zona të thella. Banorëve do t’ju duhet të udhëtojnë për kilometra të tëra për të votuar në qendrën e votimit që për shkak të popullsisë bashkon disa fshatra. Në Kodin Zgjedhor përcaktohet se nuk mund të ketë qendra votimi me më pak se 150 votues dhe më shumë se 1 mijë. Qarku i Elbasanit numëron 305 mijë votues, të cilët do të votojnë për të zgjedhur 14 kandidatë nga forcat politike konkurruese.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›