E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokurimet publike, sistemi elektronik i dështuar, tenderët me abuzime



Ervin KOÇI

Tenderët publik vijojnë të jenë një prej problemeve të pa zgjidhura ende që kanë thelluar konfliktet mes biznesit dhe administratës shtetërore. Numri i ankesave nga biznesi për tenderët që kryen administrata shtetërore sa vjen dhe rritet, ndërsa shkeljet vijojnë të përsëriten, në disa raste edhe qëllimisht. Në raportin e fundit për vitin 2009, Avokati i Prokurimeve vë në dukje një sërë mangësish gjatë procedurave në tenderë, duke fajësuar entet kontraktuese (institucionin shtetëror) për shkelje të ligjit, mosrespektim të afateve, madje deri në konstatimin se një pjesë e tenderëve anulohen qëllimisht për favorizime korrupsioni. Edhe pse është instaluar sistemi elektronik i procedurave të prokurimit publik, sërish konstatohen probleme të rënda në dëm të interesave ekonomike të vendit. “Anulimi i tenderëve shpeshherë është bërë me qëllim për të kaluar në procedurat e prokurimit me negocim apo të drejtpërdrejta, duke i justifikuar këto veprime me mungesën e konkurrencës nga operatorë seriozë”,- thekson Avokati i Prokurimeve. Raste kur janë anuluar tenderët, me qëllim vazhdimin e kontratave pa konkurrencë, janë konstatuar nga autoritetet kontraktore si qendra spitalore universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, Universiteti i Shkodrës, Drejtoria Rajonale Rrugore, Elbasan,///// etj.

Abuzimet
Në raportin e vitit 2009, Avokati i Prokurimeve u ka kushtuar rëndësi procedurave që ndjek Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës sa u takon koncesioneve në hidrocentrale, duke evidentuar një mori shkeljesh të ligjit. Në raport thuhet se: “janë konstatuar vonesa të pajustifikuara në shqyrtimin e ofertave, të cilat jo vetëm cenojnë besimin e biznesit për drejtësinë e vendimeve, por dëmtojnë edhe interesat ekonomike”. Avokati i Prokurimeve përmend rastet me shkelje të hidrocentraleve, kryesisht të vogla, si HEC-et në lumin Fan i Vogël në Mat, Përroin e Gurrës në Elbasan, Ujanik, Skrapar etj.
Avokati i Prokurimeve e ka dërguar këto ditë raportin vjetor në Kuvend, ku pritet të ketë debate. Gjatë vitit 2009, sipas Avokatit, ka pasur 526 ankesa nga subjektet private për tenderët e zhvilluar. Në total, sipas raportit, ka pasur 274 hetime administrative ndaj ankesave, sepse argumentet e ofertuesve ishin të mjaftueshme për të nisur një hetim. Në 252 raste të ankesave të paraqitura është bërë shqyrtimi administrativ. Sipas raportit, ka pasur 59 raste të nisura nga vetë institucioni për hetim administrativ. Në 143 raste është dhënë rekomandimi për anulimin e procedurave të tenderimit, nisur nga shkeljet e konstatuara.

Investimet shtetërore
Prokurimet publike edhe pse është futur procedura elektronike gjithsesi mbeten një problem i madh në përdorimin e fondeve buxhetore. Sipas shifrave të publikuara rezulton se nga rreth 585 tenderë të kontrolluar, mbi 500 prej tyre kanë qenë me probleme nga më të ndryshmet që e kanë vënë në dyshim procedurën. Në rreth 300 raste Avokati u ka dhënë të drejtë subjekteve ankuese, ndërsa për 143 raste të tjera ka kërkuar anulimin e procedurave. Ky marzh i lartë gabimesh sipas autoritetit kontrollues vjen nga gabimet e përdorimit të prokurimit elektronik nga autoritetet kontraktore, por edhe nga operatorët ekonomikë. Ndërkohë edhe vetë Agjencia e Prokurimeve Publike është e përfshirë në këto gabime. Madje ajo për më shumë se 80 raste shkeljesh në tenderë të identifikuar nga Avokati i Prokurimeve nuk ka reaguar fare, duke shkaktuar dëm dhe padrejtësi ndaj operatorëve ekonomikë. Ndër problematikat më të mëdha që kanë tenderët publikë janë identifikuar zhvillimi i tyre pa përcaktuar fond limit, hartimi i dokumenteve të tyre në kundërshtim me kriteret e paracaktuara, shqyrtimet me mangësi i ofertave konkurruese, mosrespektimi i afateve të ankesave të ofertuesve. Po ashtu janë vërejtur mosrespektim të rekomandimeve nga agjencia e prokurimit, mangësi në aplikimin e formës elektronike të tenderimit, si dhe mangësi në procedurat e koncesioneve.

5 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›