E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioneri Lange parathotë një të ardhme të afërt të Shqipërisë në BE

Komisioneri i BE-së për Zgjerimin vlerësoi në përfundim të mandatit të tij, kursin reformator të ndjekur nga kabineti “Berisha”, duke parathënë në një të ardhme të afërt, anëtarësimin e plotë të vendit në Bashkimin Evropian


Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim Shefin e Departamentit për Shqipërinë në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit në Komisionin Evropian, Dirk Lange.


Lange e falënderoi përzemërsisht kryeministrin Berisha për bashkëpunimin e shkëlqyer gjatë këtyre viteve dhe shprehu vlerësimet e tij të jashtëzakonshme për zhvillimin dhe ndryshimet impresionuese të Shqipërisë. Shqipëria, tha Lange, po ecën çdo ditë me hapat e duhur në rrugën e zhvillimit dhe integrimit evropian.


Gjithashtu, Lange theksoi se arritjet e rëndësishme të qeverisë shqiptare gjatë vitit të kaluar, të cilat u vlerësuan nga raporti “Të bësh Biznes”, nga raporti i Transparency International, si dhe arritja e marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO, u evidentuan edhe nga raporti i fundit i Komisionit Evropian për Shqipërinë. Ai falënderoi qeverinë shqiptare për bashkëpunimin në hartimin e këtij raporti, si dhe shprehu vendosmërinë e KE-së për të vazhduar këtë bashkëpunimin dhe për të dhënë mbështetjen dhe përkrahjen e plotë për integrimin e Shqipërisë në BE.


Kryeministri Berisha theksoi se puna e qeverisë është fokusuar tashmë në intensifikimin e përpjekjeve dhe reformave për të përshpejtuar plotësimin e të gjitha standardeve që kërkojnë hapat e mëtejshëm të integrimit evropian të vendit. Në këtë vit elektoral, kryeministri tha se objektivi kryesor i qeverisë është realizimi i zgjedhjeve konform standardeve ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Për këtë qëllim, tha ai, po përfundon ndërtimi i infrastrukturës më të mirë zgjedhore për sa i përket realizimit të Kartave të Identitetit dhe Kodit Zgjedhor.


Topalli - Dirk Lange: “Vijimi me reformat, na bën optimistë për një të ardhme të afërt në BE”


“Shqipëria ka hyrë në një fazë të re në rrugën e saj integruese, ajo ka ecur shumë përpara në tri vitet e fundit dhe ndryshimet e bëra janë të dukshme e të konsiderueshme”. Ky ishte vlerësimi i bërë dje nga Drejtori për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën në Komisionin Evropian, Dirk Lange në takimin me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli.


Nga ana e saj Kryetarja e Kuvendit, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen që zoti Lange dhe KE ka dhënë për Shqipërinë nënvizoi se “vijimi me reformat e mëdha na bën të jemi shumë optimistë për një të ardhme të afërt në BE”. “Më përmbylljen e ratifikimit të MSA-së, tha Kryetarja e Kuvendit, Shqipëria do të kërkojë një tjetër marrëdhënie me BE-në, atë të statusit të kandidatit, ndërkohë që besojmë se në Samitin e ardhshëm në pranverë 2009 do të jemi anëtarë të NATO-s”.


Më tej Kryetarja e Kuvendit foli për ligjet e rëndësishme të miratuara në këto vite në parlament, ligje që janë bazë e reformave të mëdha. “Reformat në fushën fiskale, u shpreh ajo, po japin rezultat e veta jo vetëm në krijimin e një stabiliteti ekonomik por edhe në rritjen e investimeve të mëdha në vend. Të gjithë e shohin dhe e ndjejnë se Shqipëria po ndryshon. Objektivi ynë i afërt janë zgjedhjet e ardhshme dhe jemi të vendosur që të realizojmë zgjedhjet më të lira e të ndershme që Shqipëria ka pasur. Me realizimin së shpejti të pasaportave biometrike dhe kartave të identitetit do të mund të kemi zgjedhje me standarde. Me arritjen e tyre besoj se do të hyjmë në një tjetër fazë për realizimin e liberalizmit të vizave”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›