Komisionerja për Çështjet e Brendshme: “S’ka asnjë vendim nga BE për rikthimin e regjimit të vizave”

Komisionerja Malmstrom: Mos shkelni rregullat e “Schengen”-it
Në përfundim të ditës së parë të Ministerialit të vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, komisionerja për Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme, në Bashkimin Europian, Cecilja Malmstrom, ka bërë thirrje për marrjen e masave me qëllim parandalimin e azilkërkuesve në vendet e hapësirës “Schengen”. Znj. Malmstrom, theksoi se Komisioni Europian është i angazhuar për funksionimin e procesit të liberalizimit të vizave. “Diskutuam mbi liberalizimin e vizave, që është një arritje e madhe vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe procesit të tyre integrues në Bashkimin Evropian. Nga ana e Komisionit Evropian ekziston vendosmëria për të vazhduar këtë proces. Edhe pse pjesa dërrmuese e qytetarëve e shfrytëzojnë liberalizimin e vizave për të udhëtuar, ekzistojnë shqetësime nga kërkesat false apo të pathemelta për azil. Por shumë pak nga ata që aplikojnë për azil arrijnë ta fitojnë atë. Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të provojnë se mund të marrin përgjegjësitë e tyre. Unë personalisht jam shumë e angazhuar për funksionimin e procesit të liberalizimit të vizave, por na duhet mbështetja e vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat duhet të veprojnë kundër këtij fenomeni”- u shpreh znj.Malmstrom. Komisionerja e BE theksoi se, edhe pse kanë lindur shqetësime nga abuzimet me procesin e liberalizimit të vizave, nuk ka asnjë vendim nga ana e Komisionit Europian për rivendosjen e regjimit të vizave. “Nuk ekziston një vendim për anulimin e procesit të liberalizimit të vizave, thjesht ka diskutime. Nuk do të ketë asnjë vendim të drejtpërdrejt dhe që do të hyjë në fuqi menjëherë. Diskutimi nuk i adresohet vetëm vendeve të Ballkanit Perëndimor, por për të gjitha vendet e botës me të cilat ne kemi marrëveshje për liberalizim të vizave. Nëse do të ketë një propozim, do të vijë ngë Komisioni Evropian, i cili më pas do të duhet të miratohet nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe më pas do të duhet të miratohet me shumicë të cilësuar në Parlamentin Evropian”- tha ajo. Duke nënvizuar rëndësinë e procesit të liberalizmit të vizave, Komisionerja Cecilja Malmstrom theksoi rëndësinë e ruajtjes së integritetit të sistemit. Gjithashtu komisionerja evropiane kërkoi angazhimin e autoriteteve shqiptare për vazhdimësinë e reformave. Malmstrom tha se agjencitë e zbatimit të ligjit në Shqipëri duhet të forcojnë kapacitetet e tyre për një luftë të efektshme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit transaksional, përfshirë këtu dhe hetimet financiare. Duke iu referuar pikave kryesore të progres raportit të fundit për Shqipërinë, i publikuar më 10 tetor, komisionerja për Çështjet e Brendshme, tha se përparësitë kryesore të KE-së, përcaktojnë si kusht për hapjen e negociatave sundimin e ligjit. “Në raport vihet në dukje përparimi i moderuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përmes miratimit të ligjit “Për heqjen e imunitetit”, të ligjit “Për gjykatën administrative” etj. Përparim është shënuar në luftën kundër krimit, përmirësimin e kuadrit ligjor për luftën kundër pastrimit të parave, si dhe sekuestrimin e pasurive kriminale”- u shpreh më tej Malmstrom.
Ministeriali, pas shqetësimeve të BE për rritjen e numrit të azilkërkuesve
Takimi në Tiranë i ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, pason shqetësimin e shprehur nga disa vende evropiane lidhur me rritjen e numrit të azilkërkuesve për shkak të abuzimit me liberalizimin e vizave dhe kërkesës për marrjen e masave të shpejta. Gjashtë vende anëtare të BE-së Belgjika, Luksemburgu, Gjermania Franca, Austria dhe Holanda i kërkuan Brukselit të përshpejtojë procedurat për vënien në jetë “të mekanizimit të shpëtimit”, i propozuar nga KE dhe që parashikon që në rast të rrethanave të jashtëzakonshme të mund të rivendoset regjimi i vizave ndaj vendeve ballkanike, të cilat përfituan nga liberalizimi i vizave në zonën Schengen në vitin 2009 dhe 2010. Në takimin e djeshëm, ku BE përfaqësohet me komisioneren Malmstrom, Brukseli i kërkoi vendeve të Ballkanit që të marrin përgjegjësitë e tyre dhe të angazhohen duke vënë në jetë masa konkrete, në mënyrë që tendenca e kërkesave për azil të frenohet.