Objektivi madhor për Shqipërinë, luftë pa kompromis krimit të organizuar
Gjatë fjalës së tij në ministerialin e ministrave të brendshëm të dhe të drejtësisë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, kryeministri Berisha deklaroi se një ndër objektivat e agjencive ligjzbatuese është padyshim lufta kundër krimit të organizuar. Ai tha se progresi në Shqipëri është i prekshëm dhe këtë e faktojnë rezultatet evidente në luftën kundër trafiqeve njerëzore, kundër trafikut të drogë si dhe janë vënë para ligjit mbi 1000 anëtarë dhe bosë të bandave kriminale. “Në Shqipëri institucionet e zbatimit të ligjit do të jenë plotësisht të hapura për bashkëpunimin më të ngushtë dhe më të vendosur për luftën së bashku ndaj krimit të organizuar. Kur sheh statistikat konstaton se progresi është i jashtëzakonshëm. Nga një vend para pak vitesh me territore vështirësish të kontrollueshme ose të pakontrollueshme, vendburim i trafiqeve kriminale për shkak të konflikteve, sot rajoni është një vend me një dinamizëm të admirueshëm zhvillimi. Rajoni ka njohur rritje në fushën turistike dhe të investimeve dhe ka vendosur një bashkëpunim shumë të rëndësishëm në luftën kundër kriminalitetit dhe trafiqeve duke rritur shkallën e sigurisë. Për Shqipërinë por dhe për çdo vend tjetër, një nga objektivat më madhorë duhet të jetë lufta efiçente kundër krimit të organizuar, korrupsionit e trafiqeve. Kjo jo vetëm për të bërë vendin më të sigurt, por dhe për të mos eksportuar krim e trafiqe drejt vendeve të tjera”- u shpreh ai. Në këtë kontekst, theksoi Berisha, “ky objektiv madhor mund të organizohet vetëm nëpërmjet një bashkëpunimi të ngushtë mes agjencive të zbatimit të ligjit mes vendeve tona. Bashkëpunim që ka pasur progres të madh dhe e ka bërë rajonin shumë më të sigurt dhe agjencitë e zbatimit të ligjit më profesionale dhe më të afta”. “Shqipëria po bën një përpjekje të madhe në luftën kundër kriminalitetit dhe trafiqeve. Rezultatet e saj janë shumë evidente në luftën kundër trafiqeve njerëzore, kundër trafikut të drogës. Gjatë këtyre viteve janë vënë para ligjit mbi 1000 anëtarë dhe bosë të bandave kriminale. Shumë prej tyre ndër më të rrezikshmet dhe më të pasurat. Gjatë këtyre viteve është vendosur një bashkëpunim i shkëlqyer ndërkombëtar. Aftësia zbuluese e policisë është në shkallën më të lartë. Janë modernizuar sistemet e kontrollit në pikat kufitare dhe brenda vendit”- tha më tej kryeministri Berisha.