E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komisionet diskutojnë pr/ligjet për t‘i kaluar në Kuvend

Me vendim të Konferencës së Kryetarëve, Kryetarja e Kuvendit, Topalli, në seancën e së hënës së shkuar ka bërë të ditur se Kuvendi do të mblidhet një herë në javë në seanca parlamentare deri në një vendim të dytë. Seancat do të jenë çdo ditë të enjte në orën 10.00. Sipas Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, kjo bëhet për t‘u lënë kohën e duhur të gjitha komisioneve parlamentare që të diskutojnë dhe shqyrtojnë nen për nen projektligjet sipas kalendarit të punës së çdo komisioni dhe më pas këto projektligje të kalojnë për miratim në seancat parlamentare. Pas këtij vendimi ka nisur diskutimi nëpër komisione i projektligjeve, por komisionet më aktive ashtu si edhe në legjislaturat e shkuara janë Komisioni i Ligjeve dhe Komisioni i Ekonomisë të pasuar nga Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese, Komisioni i Shëndetësisë dhe Komisioni i Jashtëm. Ditën e sotme, Komisioni i Ligjeve do të përfundojë shqyrtimin nen për nen të projektligjit "Për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe të bashkëpunëtorëve të drejtësisë". Në Komisionin e Ekonomisë do të diskutohen projektligji "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9374, datë 21.4.2005 ‘Për ndihmën shtetërore‘". Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit do të diskutojë "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9663, datë 18.12.2006 ‘Për koncesionet‘, të ndryshuar", si dhe projektligji "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligin nr. 9482, datë 3.4.2006 ‘Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje‘, të ndryshuar". Në Komisionin e Punës, Çështjet Sociale dhe Shëndetësisë do të diskutohet projektligji "Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›