Serbia ofertë Shqipërisë: Të furnizojë vendin me gaz, përmes një tubacioni Ministri Prifti dhe ministri Skundriç, gjatë daljes së përbashkët për mediat

Marrëdhëniet ekonomike Shqipëri-Serbi do të hyjnë në një kapitull të ri. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti ka pritur në Tiranë homologun e tij serb, Petar Skundriç dhe kanë rënë dakord për firmosjen e një memorandumi për bashkëpunimin në fushën ekonomike. Takimi është vlerësuar nga të dy palët, si një takim historik pasi pritet që ky bashkëpunim i ri ekonomik të ndikojë në përmirësimin e marrëdhënieve politike. Ministrat shqiptarë dhe serbë nuk kanë bërë të ditur se ku do të shtrihet bashkëpunimi, por mësohet se me interes duket të jetë bashkëpunimi në fushën energjetike. Prifti është treguar i kujdesshëm të specifikojë se ky bashkëpunim me Serbinë, nuk do të thonë në asnjë mënyrë që do të përjashtohet bashkëpunimi në fushën e energjetikës me Kosovën. Ai tha se kanë diskutuar për marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve. Sipas tij, midis të tjerash është diskutuar se si të gjejnë rrugët dhe mënyrat për të rritur bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Serbisë në fushën e energjetikës dhe në fushën e minierave, dhe të industrisë në përgjithësi. “Ashtu siç ministri Skundriç kishte ofertat e veta të bashkëpunimit, ku spikati oferta që Serbia mund të furnizojë Shqipërinë në të ardhmen me gaz, nëse është e nevojshme, me investime të qeverisë serbe të shtrihet tubacioni i gazit nga Serbia deri në Shqipëri”, njoftoi ministri i Ekonomisë. Ndërsa ministri serb tha se shteti i tij synon të bëhet një lider në fushën energjetike, sidomos në fushën e prodhimit dhe tregtimit të energjisë elektrike. “Për këtë arsye mendoj se në fushën energjetike duhet të kemi projekte konkrete me Shqipërinë, me interes jo vetëm për vendet e rajonit, por për gjithë Evropën”, tha Skundriç.